Google mund të jetë duke punuar për rikthimin e tabletit Pixel, pasi kompania ka nisur të kërkojë inxhinierë që mund të angazhohen në zhvillimin e pajisjeve të ardhshme Pixel, përfshirë tabletët.
Në disa shpallje pune të kompanisë përmenden zhvillimi i “telefonave, tabletëve dhe aksesorëve Pixel”, si dhe puna me “telefonat dhe tabletët aktualë dhe të ardhshëm Pixel”.
Një tjetër shpallje, e lidhur me ekipin që merret me ekranet, përmend zhvillimin e zgjidhjeve të gjeneratës së ardhshme për telefonat, pajisjet e palosshme dhe tabletët.
Tableti i parë Pixel u prezantua në vitin 2023, por nuk arriti të ketë sukses të madh në shitje dhe popullaritet. Kishte spekulime për një Pixel Tablet 2 në vitin 2025, por një pajisje e tillë nuk u prezantua.
Shpalljet e reja të punës nuk janë dëshmi e sigurt se Google do ta rikthejë Pixel Tablet. Megjithatë, ato kanë nxitur spekulime se kompania mund të jetë duke zhvilluar një tablet të ri, ndoshta edhe me një emër tjetër.
Një mundësi tjetër është që Google të jetë duke punuar në një pajisje të gjerë të palosshme. Kompani si Samsung, Xiaomi dhe Huawei kanë eksperimentuar tashmë me pajisje të palosshme që, kur hapen, ngjajnë me tabletët.
Nëse Google është duke rekrutuar inxhinierë për zhvillimin e ekraneve të gjeneratës së ardhshme, nuk përjashtohet mundësia e një pajisjeje Pixel Fold që do të hapej në një ekran më të madh, të ngjashëm me një tablet. Megjithatë, deri tani kompania nuk ka konfirmuar zyrtarisht një pajisje të tillë. /Telegrafi/