Gjykata Administrative e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar padinë e Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), ndaj Komunës së Prishtinës lidhur me një vendim të komunës për ndryshim-plotësimin e një vendimi të vitit 2016.
Sipas aktgjykimit të datës 15 korrik 2026, gjykata ka refuzuar kërkesën e palës paditëse për anulimin e vendimit të Komunës së Prishtinës me numër 14.030/01.21504/24, të datës 8 shkurt 2024, i cili kishte të bënte me ndryshim-plotësimin e vendimit me numër protokolli 01-031-13761, të datës 19 janar 2016.
Në aktgjykim thuhet se pala paditëse nuk ka arritur t’i paraqesë faktet dhe provat për të argumentuar bazueshmërinë e kërkesëpadisë. Gjykata ka konstatuar gjithashtu se në procedurën administrative janë respektuar rregullat përkatëse dhe se nuk është cenuar ligji material apo procedural në dëm të palës paditëse.
Pas publikimit të vendimit, kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, e ka cilësuar atë si një tjetër fitore institucionale të komunës.
“Bllokues në pozitë. Bllokues në opozitë”, ka shkruar Rama në një postim në Facebook.
Ai ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për, siç ka thënë, bllokimin e iniciativave të Komunës së Prishtinës.
“Pothuajse për çdo iniciativë që kemi ndërmarrë për zhvillimin e Kryeqytetit, kemi pas bllokada nga Vetëvendosje! Ja edhe një tentim prej tyre”, ka deklaruar Rama.
Duke iu referuar drejtpërdrejt vendimit të gjykatës, kryetari i Prishtinës ka thënë se “Gjykata edhe këtë herë i dha të drejtë Kryeqytetit! Edhe një betejë institucionale e fituar”.
Rama e ka ashpërsuar gjuhën ndaj Vetëvendosjes, duke e akuzuar atë për sulme politike ndaj kundërshtarëve.
“Vetëvendosje, po e përsëris: ju jeni fatkeqësia e këtij vendi. Keni ardhur në pushtet tu linçu, fabriku e tu tentu me denigroni njerëz. Njejtë keni me perfundu!”, ka shkruar ai. /Telegrafi/
