Tetë persona humbën jetën dhe një tjetër u plagos rëndë pas rrëzimit të një helikopteri ushtarak në Sanabamba, në rajonin Ayacucho, në jug të Perusë.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Perusë, helikopteri Mi-17 po kthehej nga një operacion për shpëtimin e një patrulle ushtarake që kishte mbetur e bllokuar në luginën e lumenjve Apurímac, Ene dhe Mantaro.
Në mesin e viktimave janë pesë anëtarë të ekuipazhit dhe tre ushtarë që ishin shpëtuar pak para aksidentit. Piloti, Enso Espinosa Roque, është i vetmi i mbijetuar. Ai u dërgua me lëndime të rënda në një spital në kryeqytetin Lima.
Shkaku i rrëzimit mbetet i paqartë. Ky është aksidenti i dytë fatal me një helikopter ushtarak të këtij tipi në Peru që nga fillimi i vitit.
Në shkurt, një Mi-17 u rrëzua në rajonin jugor të Arequipas gjatë një operacioni shpëtimi pas përmbytjeve. Të 15 personat në bord humbën jetën, mes tyre shtatë të mitur.

