Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e ka gjobitur me 2 mijë euro Ndërmarrjen Publike Lokale “Higjena” në Deçan, për deponimin e mbeturinave pa pëlqim mjedisor dhe dokumentacionin e nevojshëm ligjor.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, përmes një postimi.
Sipas saj, gjoba është shqiptuar javën e kaluar nga Inspektorati i ministrisë, pasi ndërmarrja kishte deponuar mbeturina inerte dhe lloje të tjera të mbeturinave në lokacionin ku ndodhet selia e saj.
Përveç gjobës, ndërmarrja është urdhëruar të ndalojë deponimin e mbeturinave dhe të pastrojë ato që janë hedhur në këtë lokacion.
“Mbrojtja e mjedisit kërkon zbatim të ligjit dhe përgjegjësi nga secili”, ka shkruar Pacolli. /Telegrafi/

