Sulmuesi i Bayern Munichut, Harry Kane, ka shprehur admirimin e tij për legjendën e Real Madridit, Karim Benzema, duke thënë se sheh shumë ngjashmëri mes mënyrës së tyre të lojës.
Në një intervistë për mediumin Foot Mercato, anglezi e ka vlerësuar lart fituesin e Topit të Artë për vitin 2022, duke theksuar inteligjencën e tij futbollistike dhe aftësinë për të kontribuar në ndërtimin e aksioneve, pa e humbur instinktin e golashënuesit.
“Karim është një lojtar i jashtëzakonshëm. Gjithmonë kam qenë një admirues i madh i tij”, ka deklaruar Kane.
Sulmuesi anglez, i cili tashmë është 38 vjeç, sipas Kane, kishte aftësinë të tërhiqej në mesfushë dhe të luante pothuajse si një numër 10, duke diktuar ritmin e lojës, por në të njëjtën kohë duke ditur momentin e duhur për të hyrë në zonën kundërshtare.
Kane pranon se edhe vetë përdor shpesh këtë mënyrë loje, duke u tërhequr nga pozicioni i sulmuesit për të ndihmuar në ndërtimin e aksioneve dhe për të krijuar hapësira për bashkëlojtarët.
“Ne kemi disa dallime sa i përket karakteristikave fizike. Por, kur bëhet fjalë për inteligjencën futbollistike, aftësinë për të gjetur hapësirat e duhura dhe dëshirën për t’i ndihmuar bashkëlojtarët, shoh qartë shumë ngjashmëri në lojën tonë”, ka shpjeguar ylli i Bayern Munichut.
Benzema, i cili fitoi Topin e Artë në vitin 2022, shënoi 354 gola në 648 paraqitje zyrtare me fanellën e Real Madridit, gjatë periudhës 2009-2023.
Francezi fitoi pesë herë Ligën e Kampionëve me gjigantin spanjoll, përpara se të largohej nga “Santiago Bernabeu” dhe të vazhdonte karrierën në futbollin e Arabisë Saudite./Telegrafi/

