Arsenali po shqyrton mundësinë e transferimit të Marcus Rashford gjatë afatit kalimtar të verës, pasi sulmuesi anglez është shndërruar në një mundësi të favorshme në treg.
Stafi teknik i londinezëve është në kërkim të përforcimeve në krahun e majtë të sulmit për sezonin e ardhshëm, një pozicion që konsiderohet prioritet në planet e Mikel Artetës. Drejtuesit e klubit po punojnë për ndërtimin e një skuadre sa më të thellë dhe konkurruese, me synimin për të luftuar për trofe si në Angli ashtu edhe në arenën evropiane.
Ndërkohë, Manchester United është i gatshëm të ndajë rrugët me Rashfordin dhe ka autorizuar ndërmjetës të ndryshëm që ta ofrojnë lojtarin në kampionatet kryesore të Evropës, Lindjes së Mesme dhe Amerikës së Veriut.
Sulmuesi 28-vjeçar e kaloi sezonin 2025/26 në formë huazimi te Barcelona, por gjiganti katalanas vendosi të mos aktivizojë opsionin e blerjes përfundimtare, i cili kapte vlerën e rreth 30 milionë eurove.
Në “Emirates”, drejtuesit dhe Arteta vlerësojnë eksperiencën e madhe që Rashford mund t’i sjellë repartit ofensiv. Megjithatë, lojtari aktualisht është i fokusuar te angazhimet me Kombëtaren e Anglisë dhe pritet të marrë një vendim për të ardhmen vetëm pas përfundimit të turneut ndërkombëtar.
Arsenali beson se afrimi i një emri me profilin dhe reputacionin e Rashford do të rriste ndjeshëm cilësinë e skuadrës dhe do të dërgonte një sinjal të fortë rivalëve në garën për tituj sezonin e ardhshëm./Telegrafi/
