Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar në rajone të ndryshme të Kosovës brenda 24 orëve.
Rastet janë regjistruar sipas raportit 24-orësht të Policisë në Gjakovë, Lipjan, Prishtinë, Pejë dhe Klinë, ndërsa në disa prej tyre të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit, transmeton Zeri.info.
Në Gjakovë, një person është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj dy personave, një gruaje dhe një burri. Pas intervistimit, ai është dërguar në mbajtje.
Në Lipjan, policia ka arrestuar dy burra, të cilët dyshohet se janë përleshur pas një mosmarrëveshjeje. Pas intervistimit dhe konsultimit me prokurorin, të dy janë liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, në Prishtinë është raportuar një rast në të cilin një burrë dyshohet se ka kanosur me thikë një grua. Gjatë kontrollit, policia ka gjetur një thikë dhe 0.36 gramë substancë të dyshuar narkotike, të llojit marihuanë. I dyshuari është dërguar në mbajtje.
Një tjetër rast është regjistruar në Klinë, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Ai është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Policia ka raportuar edhe për një rast të dhunës në familje në Prishtinë, të ndodhur më 1 nëntor, lidhur me të cilin i dyshuari është arrestuar më 2 nëntor dhe është dërguar në mbajtje.
Ndërsa në Pejë, një burrë dyshohet se ka kanosur dhe ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Nuk raportohet për persona të lënduar, kurse i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Po ashtu, në Pejë është raportuar edhe një rast i lëndimit të lehtë trupor dhe dhunës në familje, ku një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari ndodhet në kërkim policor./Zëri

