Mesfushori i Spanjës, Dani Olmo, ka hedhur poshtë kërkimfaljen e ndihmësit të trajnerit të Argjentinës, Roberto Ayala, duke e akuzuar atë se nuk po merr përgjegjësi për incidentin që ndodhi pas finales së Kupës së Botës 2026.
Olmo ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të Spanjës gjatë turneut dhe luajti deri në minutën e 75-të në finalen ndaj Argjentinës, para se Ferran Torres të shënonte golin e fitores në vazhdime.
Pas përfundimit të ndeshjes, festimet e Spanjës u shoqëruan me përplasje mes futbollistëve dhe anëtarëve të të dyja skuadrave. Një nga incidentet më të përfolura ishte ai mes Olmos dhe Roberto Ayalas, i cili e shtyu ose e goditi spanjollin në zonën e fytit.
Më vonë, Ayala kërkoi falje, duke pretenduar se gjithçka ishte pasojë e emocioneve.
“Ishte më shumë një shtyrje sesa diçka tjetër. Nuk ishte grusht siç po thuhet. Ishte një reagim ndaj diçkaje që ai më tha”, deklaroi Ayala.
Megjithatë, Olmo e ka mohuar kategorikisht këtë version.
“Dikush që pretendon se i vjen keq, por e justifikon një goditje duke thënë se ishte reagim ndaj një komenti, ndoshta nuk është penduar fare”.
“Ai po gënjen, sepse unë nuk i thashë asgjë. Prandaj nuk kam nevojë për kërkimfaljen e tij. Ajo që na përcakton nuk është gabimi, por guximi për ta pranuar atë”, deklaroi ylli i Barcelonës për Diari de Terrassa.
Incidenti me Olmon ishte vetëm një nga disa përplasjet që ndodhën pas finales. Mesfushori argjentinas Leandro Paredes u përfshi gjithashtu në incidente me lojtarët spanjollë, duke kapur Eric Garcian për fyti dhe më pas duke rrëzuar Gavin në tokë.
Ndryshe nga Ayala, Paredes ka pranuar më vonë se Spanja e meritoi triumfin, duke e cilësuar “La Rojan” si fituesen e merituar të Kupës së Botës 2026./Telegrafi/
