Qëndresë Ibrahimi dhe Alban Maliqi kanë marrë pikë të barabarta në vlerësimin përfundimtar për pozitën e zëvendësdrejtorit ekzekutiv të Agjencisë për Regjistrim Civil në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, shkruan IndeksOnline.
Njësia për menaxhimin e burimeve njerëzore e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka publikuar rezultatet përfundimtare të konkursit me numër RN00019652 për pozitën e zëvendësdrejtorit ekzekutiv të Agjencisë për Regjistrim Civil.
Sipas njoftimit zyrtar, të dy kandidatët kanë arritur rezultat identik në të dy fazat e vlerësimit, përkatësisht në testimin me shkrim dhe intervistën me gojë.
Qëndresë Ibrahimi ka marrë 33 pikë në testin me shkrim dhe 37.2 pikë në intervistë, duke grumbulluar gjithsej 70.2 pikë.
Të njëjtin rezultat e ka arritur edhe kandidati Alban Maliqi, me 33 pikë në testin me shkrim dhe 37.2 pikë në intervistë, apo gjithsej 70.2 pikë.
Rezultatet janë publikuar në fazën e vlerësimit përfundimtar, pas përfundimit të testimit me shkrim dhe intervistimit me gojë.
Në njoftim thuhet se kandidatët e pakënaqur kanë të drejtë ankese në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës (KPMSHCK), brenda afatit prej 30-ditësh nga shpallja e rezultateve përfundimtare.
Procedura është zhvilluar në bazë të ligjit për zyrtarët publikë dhe rregullores për procedurën e pranimit në shërbimin civil.

