Forca e Sigurisë së Kosovës ka dal me një komunikatë sqaruese për ushtarin që do t’i nënshtorhet operimit në klinikën e Ortopedisë.
Fillimisht u raportua se Ushtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) i lënduar gjatë stërvitjes në poligonin e Babajt të Bokës ndodhet i shtrirë në Klinikën e Ortopedisë në QKUK dhe pritet t’i nënshtrohet një operacioni urgjent më 25 nëntor 2026, transmeton lajmi.net.
Por, FSK ka dal me sqarim se ushtari ka qenë i përfshirë në një aksident trafiku dhe se tash për shkak të lëndimeve të marra, do t’i nënshtrohet operimit.
Njoftimi i plotë:
Sqarim , ju njoftojmë se më 23 nëntor 2026, një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës është përfshirë në një aksident trafiku në regjionin e Gjilanit.
Rrethanat dhe shkaqet që kanë çuar deri te aksidenti i trafikut janë duke u trajtuar dhe sqaruar nga organet përkatëse.
Si pasojë e aksidentit në trafik, pjesëtari ka pësuar lëndime, ku edhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Sipas informatave të Regjimentit të Mjekësisë së FSK-së, që janë në koordinim me QKUK-në, pjesëtari pritet t’i nënshtrohet intervenimit kirurgjik në kliniken e Ortopedisë.
Gjendja shëndetësore e përgjithshme e pjesëtarit është stabile dhe ai po vazhdon të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor./lajmi.net/

