Qeveria franceze akuzoi Gardën Revolucionare të Iranit për sulmet kibernetike ndaj sistemeve të ftohjes në supermarkete në Francë. "Ky është sulmi i parë kibernetik në shkallë të gjerë me qëllim sabotimi në territorin kombëtar", deklaroi ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot. "Mund të konfirmoj se përgjegjësia për këtë sulm i takon Gardës Revolucionare të Republikës Islamike të Iranit."
Sipas Barrotit nga sulmet kibernetike gjatë dy ditëve në muajin tetor u prekën gjithsej 700 lokacione në Francë . "Ne do të vendosim sanksione në nivel evropian ndaj të gjithë përgjegjësve për këtë sulm."
Ministri i Jashtëm francez njoftoi gjithashtu se do të ndërmerren "të gjitha masat e tjera proporcionale dhe të nevojshme" për të penguar imituesit e mundshëm. Autoritetet e drejtësisë kanë nisur tashmë hetimet për këtë rast. Po ashtu pritet që edhe ambasadori iranian të thirret në Ministrinë e Jashtme
Sasi të mëdha ushqimesh në plehëra
Deri tani nuk dihej se kush qëndronte pas këtyre sulmeve. Megjithatë kishte dyshime se mund të bëhej fjalë për një të ashtuquajtur sulm hibrid nga Rusia.
Përveç Francës nga sulmet kibernetike u prekën edhe Gjermania dhe shumë vende të tjera evropiane. Si pasojë e ndërprerjes së funksionimit të sistemeve të ftohjes, u detyruan të hidhen në plehëra sasi të mëdha ushqimesh./DW

