Një fotografi e vjetër e presidentes së sapozgjedhur të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, është rikthyer në vëmendjen e publikut pas betimit të saj para Kuvendit të Kosovës.
Fotografia është shkrepur në vitin 1977, pikërisht në ditën e dasmës së saj, kur presidentja ishte vetëm 23 vjeçe.
Imazhi, i cili ishte pjesë e arkivit të saj, u publikua më shumë se 10 vjet më parë nga revista “Teuta”, në kuadër të një interviste të realizuar me Shiroka-Pulën, ku ajo kishte rrëfyer emocionet dhe disa nga detajet e ditës së saj të martesës.
Në fotografinë e rrallë, Justina Shiroka-Pula shihet në rininë e saj, duke pozuar së bashku me bashkëshortin e saj, Blerimin, si dhe me prindërit e tyre.
Në atë intervistë, presidentja e re kishte kujtuar ditën e saj të veçantë, duke ndarë me lexuesit edhe disa detaje nga ceremonia e martesës dhe organizimi i dasmës.
“Aktualisht janë duke u organizuar shumë dasma të bukura dhe madhështore, mirëpo në kohën kur unë jam martuar, dasma jonë ishte më e veçantë se dasmat e tjera, pasi para 40 vjetësh, dy familjet, Shiroka–Pula, kemi organizuar dasmë të përbashkët, për ç’gjë u jemi mirënjohës familjeve tona”, pati thënë presidentja në intervistë.
Ndërkaq, Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidentja e re e Kosovës pas një periudhe të gjatë të ngërçit politik, ndërsa pas zgjedhjes së saj ajo dha edhe betimin para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.