Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda pritet të bëjë disa ndryshime në formacionin titullar për ndeshjen ndaj Irlandës, me rikthimin e Arijanet Muricit në portë, debutimin e mundshëm të Bleon Kurtulusit dhe kalimin nga skema 3-4-3 në atë 3-5-2, mëson Telegrafi.
Kosova përballet sot (e martë) me Irlandën në Dublin, në ndeshjen e fundit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve, ndërsa Franco Foda pritet të bëjë disa ndryshime në formacionin titullar.
Ndryshimi i parë pritet të jetë në portë, ku Arijanet Muric rikthehet mes shtyllave, duke zënë vendin e Amir Saipit, i cili ishte titullar në barazimin pa gola ndaj Izraelit në Prishtinë.
Muric rikthehet në mes të shtyllave
Në repartin mbrojtës pritet të ketë gjithashtu ndryshime, por edhe një tjetër risi.
19-vjeçari Bleon Kurtulus mund të debutojë me fanellën e Kosovës, duke zënë vendin e Kreshnik Hajrizit në treshen e mbrojtjes, së bashku me Lindrit Kamberin dhe Ilir Krasniqin.
Kurtulus pritet të debutojë me fanellën e Kosovës
Ndryshime priten edhe në mesfushë, ku rikthehen nga minuta e parë Elvis Rexhbeçaj dhe Lindon Emërllahu. Ky i fundit zë vendin e Veldin Hoxhës, i cili mungon për shkak të suspendimit, ndërsa Rexhbeçaj pritet të marrë më shumë përgjegjësi në organizimin e lojës së bashku me Leon Avdullahun.
Në krahë do të jenë Dion Gallapeni dhe Mërgim Vojvoda, ndërsa në sulm pritet të luajnë Vedat Muriqi dhe Fisnik Asllani. Ky i fundit rikthehet në formacion pasi e nisi nga banka ndeshjen me Izraelin, duke zënë vendin e Milot Rashicës. Ndërkohë, Edon Zhegrova është larguar nga grumbullimi për shkak të lëndimit.
Asllani do të rikthehet titullar
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm pritet të jetë edhe në skemën taktike. Përballë Izraelit, Kosova luajti me sistemin 3-4-3, ndërsa ndaj Irlandës, Foda pritet t’i rikthehet skemës 3-5-2, me të cilën Dardanët kanë pasur shumë sukses në të kaluarën.
Ndryshe, ndeshja Irlandë-Kosovës është paraparë të zhvillohet në “Aviva Stadium” dhe është e vlefshme për ndeshjen e fundit të grupit B3 në Ligën e Kombeve dhe “Dardanët” me një barazim ose një fitore sigurojnë pozitën e dytë. /Telegrafi/
Formacioni i mundshëm i Kosovës ndaj Irlandës

