Presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez, ka zbuluar një iniciativë të re që synon ta bëjë futbollin më të qasshëm për tifozët në mbarë botën.
Duke folur në Asamblenë e klubit, ai njoftoi se nga sezoni i ardhshëm, ndeshjet më të rëndësishme të garave të UEFA-s do të mund të shikohen falas në Indi.
Përmes një platforme të re, tifozët indianë do të kenë mundësi t’i ndjekin ndeshjet në mënyrë legale dhe pa pagesë.
Pérez përmendi veçanërisht të rinjtë, të cilët shpesh nuk kanë mundësi ta shikojnë Real Madridin për shkak të kostove apo mungesës së qasjes në transmetime.
“Imagjinoni një djalë në Mumbai, i cili shpesh nuk mund ta shikojë Real Madridin. Tani do të mund ta bëjë këtë falas dhe në mënyrë legale. Ne do të mund të komunikojmë drejtpërdrejt me të”, deklaroi Pérez.
Ai shtoi se kjo nismë fillimisht do të provohet në Indi, përpara se të shtrihet edhe në vende të tjera. Sipas tij, ky projekt nuk është i rëndësishëm vetëm për Real Madridin, por për të gjithë futbollin. /Zëri

