Filmi dokumentar “SARA”, me regji të Burim Halitit, producente Ganimete Savën dhe prodhim të “Art Without Limit”, është përzgjedhur në Seleksionimin Zyrtar të edicionit të 44-t të Festivalit Ndërkombëtar “SPORT MOVIES & TV 2026”, që mbahet nga 30 tetori deri më 2 nëntor në Milano të Italisë.
Filmi do të shfaqet sot më 30 tetor, në orën 12:30, në kinemanë Cinema Centrale – Sala 2, në Milano, duke prezantuar krijimtarinë kinematografike nga Kosova në një ngjarje ndërkombëtare që ndërthur sportin, filmin dhe kulturën.
Sipas organizatorëve, në edicionin e këtij viti janë përzgjedhur 120 vepra nga gjithsej 912 aplikime. Festivali organizohet nga Federata Ndërkombëtare e Kinemasë dhe Televizionit Sportiv (FICTS) dhe përbën finalen e rrjetit ndërkombëtar “World FICTS Challenge”, i cili përfshin 27 festivale në pesë kontinente.
Një rol në dërgimin e filmit për shqyrtim ka pasur Komiteti Olimpik i Kosovës, ndërsa përzgjedhja në programin zyrtar u bë nga organizatorët e festivalit.
“SPORT MOVIES & TV” është një festival i njohur nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, i cili promovon vepra audiovizuale që lidhen me sportin dhe vlerat e tij kulturore e shoqërore.
Shfaqjet do të zhvillohen në disa hapësira kulturore të Milanos, ndërsa festivali do të përmbyllet më 2 nëntor, me ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Auditorium Testori, në kompleksin Palazzo Lombardia.
Përzgjedhja e “SARA”-s përbën një mundësi për prezantimin e filmit kosovar në një platformë ndërkombëtare dhe për promovimin e krijimtarisë vendore përtej kufijve të Kosovës. /lultplus

