Filmi “La bola negra”, me protagoniste Penelope Cruz, u shfaq premierë të enjten në mbrëmje në Festivalin e Filmit në Kanë dhe mori 20-minuta duartrokitje në këmbë, duke thyer pothuajse rekordin e festivalit.
Filmi u drejtua nga Javier Calvo dhe Javier Ambrossi, dhe duartrokitjet 20-minutëshe në këmbë janë shumë afër rekordit të Kanës, të vendosur nga një film tjetër spanjoll, “Labirinti i Panit” i Guillermo del Toros, i cili arriti 22 minuta duartrokitje në këmbë në vitin 2006.
Ndërsa zgjatën duartrokitjet në këmbë, ekipi i xhirimit u mbush me emocione dhe Penelope Cruz qau në një moment.
Calvo dhe Ambrossi, duke iu përgjigjur audiencës, morën duartrokitje edhe më të forta kur Ambrossi u tha atyre: “Për këdo që mendon se do të heqim dorë nga të drejtat tona LGBTQ, kam lajme të këqija.”
Përmbledhja zyrtare e filmit thotë: “‘La bola negra’ tregon historitë e ndërlidhura të tre burrave në tre epoka të ndryshme. Tre jetë të lidhura ngushtë nga seksualiteti dhe dëshira, dhimbja dhe trashëgimia, dhe një nga veprat e fundit të papërfunduara të poetit spanjoll Federico García Lorca.”
Në film luajnë muzikanti spanjoll Guitarricadelafuente, Miguel Bernardeau, Cruz dhe Glenn Close. Calvo dhe Ambrossi gjithashtu bashkëpunuan në skenar me Alberto Conejer.
“La bola negra” është filmi i tretë spanjoll që u prezantua në programin e konkursit të këtij viti në Kanë. /Telegrafi/
