Me ardhjen e vjeshtës, fillimin e shkollave dhe rikthimin e fëmijëve në ambiente të përbashkëta, shtohen edhe virozat sezonale. Fëmijët në kopshte dhe shkolla janë më të ekspozuar ndaj infeksioneve, ndërsa prindërit shpesh përballen me dilema: kur temperatura është shqetësuese, kur duhet vizituar pediatri dhe si të dallohen virozat e zakonshme nga gjendjet që kërkojnë trajtim mjekësor.
Për këto tema ka folur Feride Deliu, specialiste e pediatrisë në episodin e 88-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit Kubati.
Në këtë episod u diskutua për virozat e sezonit, vjelljet, barkqitjen, temperaturën, fruthin, vaksinimin, ushqimin dhe kujdesin e përgjithshëm ndaj fëmijëve.
– YouTube www.youtube.com
Deliu tha se virozat janë të përhapura në këtë periudhë, sidomos në prag të vjeshtës, kur moti fillon të ftohet dhe fëmijët kthehen në kolektive.
“Normalisht edhe në Skenderaj si në tërë Kosovën virozat janë të përhapura, posaçërisht në stinën në prag të vjeshtës, ku koha fillon pak të ftohet”, tha ajo.
Sipas saj, jeta në grupe, si në kopshte dhe shkolla, e bën përhapjen e virozave më të shpejtë.
“Jeta në grupe e fëmijëve shkollorë dhe parashkollorë e bën që këto viroza të përhapen më shpejt”, u shpreh Deliu.
Ajo përmendi se ndër virozat më të shpeshta janë gripi, ftohja, infeksionet e hundës, veshit, fytit, traktit respirator, gastrointestinal dhe urinar.
Deliu shtoi se në rritje janë edhe sëmundjet alergjike, të cilat në disa raste shfaqen më shumë në sezonin e vjeshtës.
Një nga problemet më të shpeshta aktualisht, sipas saj, janë virozat që shoqërohen me të vjella dhe barkqitje. Deliu tha se këto raste janë kryesisht virale, ndërsa këshilla kryesore për prindërit është higjiena e duarve, shmangia e kontaktit me fëmijë të sëmurë dhe, mbi të gjitha, rehidrimi.
“Vjelljet dhe barkqitjet janë mjaft të përhapura në këtë sezon, kryesisht janë virale”, tha ajo.
“Prindërit duhet të merren më së shumti me rehidrimin e këtyre fëmijëve”, shtoi pediatrja.
Deliu paralajmëroi se prindërit duhet të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse vjelljet janë të shpeshta, nëse fëmija refuzon ushqimin apo lëngjet, nëse është konfuz ose i përgjumur, qan pa lot, ka gojë të tharë apo urinon pak.
“Të gjitha këto janë shenja të cilat duhet me alarmu prindin se fëmija duhet të kërkojë ndihmë mjekësore”, tha ajo.
Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua fruthit, të cilin Deliu e përshkroi si sëmundje virale që përhapet shumë shpejt dhe mund të japë komplikime serioze.
“Fruthi është një sëmundje virale, e cila përhapet shumë shpejt”, tha ajo.
Sipas saj, fëmijët janë të mbrojtur vetëm nëse janë të vaksinuar plotësisht. Deliu shpjegoi se vaksinimi i parë kundër fruthit bëhet në moshën njëvjeçare, ndërsa doza tjetër në moshën pesë deri gjashtë vjeç.
“Fëmija është i mbrojtur vetëm nëse vaksinohet komplet. Dy doza mjaftojnë”, theksoi ajo.
Deliu shpjegoi se fruthi fillimisht mund të ngatërrohet me viroza të tjera, pasi shfaqet me temperaturë të lartë, skuqje të syve dhe lotim. Më pas paraqiten njolla të bardha në pjesën e brendshme të faqeve, ndërsa pas disa ditësh shfaqen skuqjet në fytyrë dhe në trup.
Ajo paralajmëroi se komplikimet e fruthit mund të jenë të rënda.
“Komplikimi më i shpeshtë është otiti, pezmatimi i veshit, mandej pezmatimet e mushkërive, si edhe komplikimi më i rëndë është encefaliti”, tha Deliu.
Në lidhje me hezitimin e disa prindërve për vaksinim, pediatrja tha se vaksina kundër fruthit shpesh është neglizhuar për shkak të lidhjes së gabuar me autizmin.
“Prindërit e kanë lidhë me probleme tjera shëndetësore, kryesisht me autizmin, duke menduar se vaksina kundër morbillit po e shkakton autizëm”, tha ajo.
Megjithatë, Deliu theksoi qëndrimin e saj se çdo fëmijë duhet të vaksinohet.
“Për mendimin tim, çdo fëmijë duhet të vaksinohet”, u shpreh ajo.
“Përgjigja ime është se mbrojtja më e mirë kundër morbillit është vaksina”, shtoi Deliu.
Ajo foli edhe për rastet kur prindërit kërkojnë ta shtyjnë vaksinën e fruthit pas moshës njëvjeçare.
Sipas saj, vaksinimi i plotë llogaritet në moshën një dhe pesë-gjashtë vjeçare, por nëse prindërit refuzojnë ta japin në kohën e duhur, është më mirë që fëmija ta marrë më vonë sesa të mbetet krejtësisht i pavaksinuar.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”. /Telegrafi/