Drejtori i sapoemëruar i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, kolonel Faton Alija, ka mbajtur takimin e parë zyrtar me stafin udhëheqës të kësaj drejtorie, ku janë diskutuar prioritetet dhe objektivat për rritjen e sigurisë në rajonin e Pejës.
“Sot, në ambientet e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, Drejtori i sapoemëruar i kësaj drejtorie, Kolonel Faton Alija, ka mbajtur takimin e parë zyrtar me stafin udhëheqës rajonal, ku morën pjesë komandantët e të gjitha stacioneve policore të rajonit të Pejës (Pejë, Istog, Klinë, Deçan dhe Junik) si dhe shefat e njësive rajonale.
Gjatë këtij takimi, Drejtori Rajonal falënderoi stafin udhëheqës dhe të gjithë zyrtarët policorë për angazhimin e deritanishëm në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Drejtori shpalosi vizionin menaxherial dhe kërkoi angazhim maksimal në realizimin e objektivave strategjike të Policisë së Kosovës, me theks të veçantë në:
ngritjen e vazhdueshme të integritetit, disiplinës dhe profesionalizmit policor, intensifikimin e aktiviteteve parandaluese dhe hetimore në luftën kundër kriminalitetit dhe dukurive negative, shtimin e masave për sigurinë në trafikun rrugor, thellimin e bashkëpunimit dhe komunikimit transparent me komunitetin, si partner kyç në garantimin e sigurisë publike.
Nga ana e tyre, komandantët e stacioneve dhe shefat e njësive i dëshiruan mirëseardhje dhe e njoftuan Drejtorin me të arriturat, planet operative si dhe sfidat me të cilat përballen në teren, duke shprehur gatishmërinë e plotë për punë ekipore dhe zbatim të përpiktë të detyrave ligjore.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve sa më efikase dhe profesionale për të gjithë qytetarët, pa dallim.”, thuhet në njoftimin e policisë.

