Ansu Fati u konsiderua për shumë vite si një nga talentet më të mëdha të Barcelonës dhe pasuesi i mundshëm i Lionel Messit. Megjithatë, lëndimet e shumta e penguan sulmuesin spanjoll ta përmbushte potencialin e tij.
Gilles Grimandi, ish-futbollist i Monacos, ka folur për GOAL rreth karrierës së Fati, duke theksuar se presioni i fanellës me numrin 10 të Barcelonës nuk ishte arsyeja kryesore e vështirësive të tij.
Lëndimet ia ndërprenë hovin
Fati debutoi me ekipin e parë të Barcelonës në moshën 16-vjeçare dhe shpejt u konsiderua si një prej talenteve më premtuese të futbollit evropian.
Megjithatë, një lëndim serioz në menisk, gjatë sezonit 2020/21, e mbajti jashtë fushave për më shumë se 300 ditë. Pas rikthimit, ai nuk arriti ta gjente vazhdimësinë e dikurshme dhe më vonë u huazua te Brightoni, përpara se të transferohej te Monaco.
“Fatkeqësisht, trupi i tij nuk e ndihmoi të performonte. Ai ka pasur shumë lëndime”, deklaroi Grimandi.
Ai shtoi se Fati kishte qenë një futbollist jashtëzakonisht i talentuar në moshë të re, por deri më tani nuk i ka përmbushur pritshmëritë e krijuara rreth tij.
“Nuk mendoj se presioni i numrit 10 e shkatërroi”
Fati trashëgoi fanellën me numrin 10 të Barcelonës pas largimit të Messit në vitin 2021. Pritshmëritë ishin të mëdha, por Grimandi beson se presioni nuk ishte problemi kryesor.
“Nuk mendoj se presioni e ka shkatërruar. Mendoj se trupi i tij nuk e ndihmoi të performonte. Ai është i talentuar, por nuk mendoj se ka të njëjtin potencial si Lamine Yamal”, u shpreh ai.
Megjithatë, ish-futbollisti i Monacos beson se sulmuesi ka ende kohë për ta ringjallur karrierën.
“Është për të ardhur keq, sepse mund të ishte një futbollist i madh. Ai ende ka kohë, por deri tani nuk ka arritur atë që prisnim prej tij kur ishte i ri”, theksoi Grimandi.
Sipas tij, objektivi kryesor i Fati duhet të jetë rikthimi i formës fizike dhe aktivizimi i rregullt në ndeshje, në mënyrë që të tregojë sërish cilësitë e tij. /Zëri

