Autoritetet italiane kanë gjobitur kompaninë Meta me 805 milionë euro, pasi Facebook kishte siguruar qasje në fotografitë dhe videot e përdoruesve të telefonave Android pa marrë pëlqimin e tyre të veçantë.
Sipas Autoritetit Italian për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, rreth 20 milionë përdorues nuk ishin informuar siç duhet se Facebook mund të përdorte fotografitë dhe videot e ruajtura në telefonat e tyre për të gjeneruar sugjerime për publikime, raporton BBC.
Problemi lidhet me një funksion të aplikacionit që sugjeron përmbajtje nga galeria e telefonit.
Facebook kërkonte një autorizim të përgjithshëm për qasje, pa e bërë të qartë se fotografitë mund të përdoreshin edhe për këtë qëllim.
Autoritetet italiane i kanë dhënë Metës 60 ditë kohë për ta çaktivizuar funksionin si parazgjedhje dhe për të kërkuar pëlqimin e veçantë të përdoruesve.
Në vendimin për gjobën, rregullatori mori parasysh numrin e madh të personave të prekur, vazhdimin e praktikës dhe mungesën e bashkëpunimit nga kompania.
Gjoba është ndër më të mëdhatë të vendosura nga një autoritet italian ndaj një gjiganti teknologjik.

