Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka organizuar një trajnim praktik për avancimin e kapaciteteve të Shërbimit Korrektues të Kosovës në përdorimin e qenve K-9 për zbulimin e kontrabandës në institucionet korrektuese.
Sipas njoftimit të EULEX-it, trajnimi u mbajt nga data 12 deri më 15 tetor, me mbështetjen e një eksperti finlandez për qentë K-9, në kuadër të mandatit të misionit për monitorimin, mentorimin dhe këshillimin e SHKK-së, transmeton Klankosova.tv.
Fokusi i trajnimit ishte përmirësimi i kapaciteteve ekzistuese dhe shkëmbimi i përvojave lidhur me metodat dhe praktikat më të mira që zbatohen në sistemin e burgjeve të Finlandës.
Qentë K-9 trajnohen në mënyrë të veçantë për të zbuluar substanca narkotike, eksplozivë dhe pajisje elektronike të paautorizuara. Përdorimi i tyre mund të ndihmojë në parandalimin e kontrabandës dhe në rritjen e sigurisë për të burgosurit dhe personelin brenda institucioneve korrektuese.

