Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka shtuar praninë e patrullave policore pranë pikave kryesore të kalimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në ditën kur në Serbi po mbahen zgjedhjet.
Sipas njoftimit, që nga orët e hershme të së dielës, EULEX-i ka shtuar patrullat e Njësisë Policore të Specializuar në afërsi të pikave kryesore të kalimit, me qëllim të monitorimit të situatës së sigurisë në terren.
Ky aktivitet po zhvillohet në koordinim me Policinë e Kosovës dhe misionin e KFOR-it, të udhëhequr nga NATO-ja, në kuadër të mekanizmit tre-nivelësh të reagimit të sigurisë.
Prania e shtuar e patrullave synon të mundësojë përcjelljen e situatës në terren dhe koordinimin ndërmjet mekanizmave përkatës të sigurisë gjatë procesit zgjedhor në Serbi./Telegrafi/

