Miliarderi i teknologjisë Elon Musk do të rikthehet në rolin e këshilltarit zyrtar të qeverisë së presidentit amerikan Donald Trump, duke bashkëdrejtuar atë që Pentagoni e ka quajtur një studim mbi të ardhmen e luftës.
Musk shërbeu si kreu i Departamentit të Efiçencës Qeveritare (DOGE), ku mbikëqyri shkurtime të gjera të vendeve të punës në qeverinë federale të SHBA-së, përpara se të largohej në maj të vitit 2025.
Në një fjalim të mbajtur të mërkurën në bazën ushtarake Quantico, kreu i Pentagonit, Pete Hegseth, tha se “Project Meridian” do të jetë “një përpjekje e udhëhequr nga mendjet më të ndritura të Amerikës për të studiuar të ardhmen e luftimit”.
“Ne po shfrytëzojmë një burim unik të epërsisë amerikane, të cilin kundërshtarët tanë nuk e kanë: novatorët tanë, drejtuesit tanë të lartë dhe teknologët tanë”, shtoi ai.
Musk do të jetë bashkëdrejtues i “Project Meridian” së bashku me Palmer Luckey, bashkëthemeluesin 34-vjeçar të kompanisë së teknologjisë së mbrojtjes “Anduril Industries”, dhe Newt Gingrich, ish-kryetarin republikan të Dhomës së Përfaqësuesve, tashmë 83 vjeç.
Kompanitë e Musk-ut janë tashmë kontraktues të mëdhenj të Pentagonit; ndër to përfshihet SpaceX, e cila po ndërton rrjete satelitore për mburojën e planifikuar të mbrojtjes raketore “Golden Dome” të Trump-it.
Kompania e tij e inteligjencës artificiale, xAI, nënshkroi këtë vit një marrëveshje që i mundëson ushtrisë të përdorë chatbot-in e saj, Grok, në sisteme të klasifikuara.
Në vitin 2024, Musk mbështeti Trump-in dhe ndihmoi në rikthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë, por më vonë mes tyre pati një përplasje të bujshme lidhur me legjislacionin e presidentit për shpenzimet.
Që atëherë, të dy janë pajtuar dhe Musk është bërë sërish një prani e shpeshtë në Shtëpinë e Bardhë, megjithëse më pak i dukshëm se gjatë angazhimit të tij të mëparshëm, kur vizitonte shpesh Zyrën Ovale – moment që mbahet mend veçanërisht për shkak se ai mbante djalin e tij të vogël mbi supe.
Të martën, ai qëndroi ulur pranë Trump-it gjatë një dreke me drejtues të kompanive të inteligjencës artificiale, ku iu bashkua liderëve të tjerë të teknologjisë për të nënshkruar një marrëveshje vullnetare për sigurinë në fushën e inteligjencës artificiale, të cilën presidenti e përshkroi si “moralisht detyruese”.
Gjithashtu, javën e kaluar, Musk mori pjesë në darkën zyrtare që Trump shtroi për presidentin kinez Xi Jinping, ndërsa në muajin maj udhëtoi drejt Pekinit me avionin presidencial “Air Force One”, si pjesë e delegacionit të biznesit që shoqëronte Trump-in në vizitën e tij shtetërore në Kinë. /Telegrafi/