Një shtetas kosovar i kërkuar me letër-rreshtim ndërkombëtar është ekstraduar nga Zvicra në Kosovë, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni është realizuar më 16 prill 2026 nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, si dhe në bashkëpunim me autoritetet zvicerane.
“I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet zvicerane pasi kërkohej përmes INTERPOL-it me letër-rreshtim ndërkombëtar, të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për veprën penale ‘Falsifikim i parave’,” thuhet në njoftim.
Autoritetet theksojnë se i dyshuari i ishte shmangur drejtësisë për një periudhë të caktuar, deri në lokalizimin dhe arrestimin e tij në Zvicër.
Ekstradimi është realizuar, siç bëhet e ditur, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe përmes bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.
Pas dorëzimit në Kosovë, i dyshuari është marrë në procedurë nga njësitet kompetente të Policisë së Kosovës për vazhdimin e mëtejshëm të procedurave ligjore.
Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe ndjekjes së veprave penale, si dhe kapjes së personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit.