Artistja vizuale Linda Lupi është pjesë e Ekspozitës Kombëtare “Eksodi Bllaca ‘99”, një ngjarje artistike që rikthen në vëmendje një nga momentet më të dhimbshme dhe dramatike të historisë së Kosovës, duke e sjellë atë nëpërmjet gjuhës së artit si një përjetim emocional për publikun.
“Ekspozita Kombëtare ‘Eksodi Bllaca ‘99’ vjen si një thirrje e fuqishme kujtese, duke rikthyer në vëmendje një nga momentet më dramatike të historisë së Kosovës. Përmes artit, ajo sjell në fokus dhimbjen, shpërnguljen dhe forcën e mbijetesës njerëzore, duke e kthyer historinë në një përjetim të gjallë emocional”, tha Linda Lupi për Telegrafin.
E pyetur pse ka zgjedhur këtë tematikë, Lupi thekson se për të arti nuk është vetëm estetikë, por edhe një formë dëshmie që ruan kujtesën kolektive.
“Sepse ka histori që nuk duhet të zbehen kurrë. Si artiste, ndjej se arti nuk është vetëm estetikë, por edhe dëshmi. Piktura ime ‘Eksodi i Kosovës’ është një përpjekje për të kapur jo vetëm një moment historik, por gjendjen e brendshme të njeriut përballë humbjes, frikës dhe shpresës”, u shpreh ajo për Telegrafin.
Sa i përket vizitës së ekspozitës, artistja bën të ditur se publiku mund ta shohë atë në Prishtinë deri në fillim të majit.
“Ekspozita është e hapur për publikun në FLORI Gallery, në Prishtina Mall, duke krijuar një hapësirë ku arti dhe historia takohen drejtpërdrejt me shikuesin. Ekspozita është e çelur për publikun deri më datë 5 Maj”, theksoi Linda për Telegrafin.
Në veprën e saj, Lupi thotë se ka zgjedhur të tregojë historinë përmes fragmenteve njerëzore, duke vendosur në qendër simbolikën e fëmijës – si shenjë e pafajësisë së prekur dhe e kujtesës që nuk shuhet.
“Në veprën time kam zgjedhur të tregoj historinë përmes fragmenteve njerëzore, figura që ecin, që mbajnë, që mbijetojnë. Në qendër qëndron fëmija, me një vështrim që flet më shumë se çdo fjalë. Ai është simbol i pafajësisë së prekur dhe i një kujtese që nuk shuhet”, tha ajo për Telegrafin.
Mesazhi që ajo synon të përcjellë përmes artit, sipas saj, është i qartë dhe i lidhur ngushtë me përgjegjësinë për të mos harruar.
“Mesazhi im është i qartë: kujtesa nuk është vetëm rikujtim, por akt përgjegjësie. Përmes artit, kërkoj të ruaj këtë kujtesë dhe ta kthej në një reflektim njerëzor universal”, nënvizoi Linda Lupi për Telegrafin.
Ndërkohë, e pyetur për planet e saj të ardhshme, artistja shprehet se është në një proces të vazhdueshëm kërkimi, ku temat e identitetit, kujtesës dhe emocioneve njerëzore do të mbeten në qendër, me synimin që këto rrëfime të shtrihen edhe jashtë hapësirës shqiptare.
“Jam në një proces të vazhdueshëm kërkimi artistik, ku temat e identitetit, kujtesës dhe emocioneve njerëzore mbeten në qendër. Synimi im është që këto histori të vazhdojnë të rrëfehen përmes pikturës, duke u shtrirë edhe në hapësira ndërkombëtare dhe duke krijuar ura komunikimi përmes artit jashtë kufijve shqiptarë”, përfundoi ajo për Telegrafin.