Ish-shefi i ushtrisë izraelite, Gadi Eisenkot, ka deklaruar se do të punojë për formimin sa më të shpejtë të një qeverie të gjerë, por rruga e tij drejt pushtetit mbetet e pasigurt, pasi zgjedhjet e 27 tetorit nuk arritën të nxjerrin një fitues me shumicë parlamentare dhe as të largojnë kryeministrin Benjamin Netanyahu nga pushteti.
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, të shtunën i dha Eisenkotit mundësinë e parë për të formuar qeverinë e re, pasi asnjëri nga dy rivalët nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme për të qeverisur.
Të dielën, Herzog ia dorëzoi zyrtarisht mandatin Eisenkotit gjatë një takimi në rezidencën presidenciale, duke nisur afatin për negociatat që vetë Eisenkot i cilësoi si një proces “jashtëzakonisht kompleks”.
“Jemi në një gjendje emergjente dhe po i afrohemi pikës pa kthim për shtetin e Izraelit. Duhet të formojmë një qeveri kombëtare të emergjencës. Kjo do të kërkojë hapa politikë krijues dhe jokonvencionalë”, deklaroi Eisenkot.
Ai tha se demokracia izraelite po kalon një moment të brishtë, ndërsa vendi përballet me sfida të mëdha, përfshirë kërcënimin e një sulmi nga Irani, nevojën për përparim drejt paqes në Gaza dhe negociatat me Libanin dhe vendet e tjera fqinje.
“Ka një urgjencë të madhe për udhëheqje të re, udhëheqje të cilën njerëzit mund ta shikojnë në sy dhe t’i besojnë”, tha ai.
Eisenkot përballet me disa mundësi për sigurimin e shumicës parlamentare. Njëra prej tyre është formimi i një qeverie të pakicës me mbështetjen e partive arabe për çështje të caktuara, ndërsa një tjetër është krijimi i një koalicioni me partitë ultraortodokse, me të cilat ai dhe aleatët e tij kanë shmangur bashkëpunimin në të kaluarën.
Një mundësi tjetër është formimi i një qeverie të unitetit me Netanyahun. Megjithatë, të tria alternativat përballen me pengesa të mëdha politike.
Eisenkot tha se do t’u bëjë thirrje të gjitha partive që të bashkohen me të, nëse pajtohen me parimet e tij kryesore. Ndër to janë njohja e Izraelit si shtet hebre dhe demokratik, shërbimi i detyrueshëm kombëtar për të gjithë qytetarët, me qëllim forcimin dhe zgjerimin e ushtrisë, si dhe njohja e Hamasit si organizatë terroriste dhe zotimi për shkatërrimin e kapaciteteve të tij ushtarake dhe qeverisëse.
“Jam i bindur se është e mundur dhe e drejtë të formohet shpejt një qeveri e re, e cila do të ketë mbështetjen e një shumice të madhe në Knesset”, deklaroi ai, duke iu referuar parlamentit izraelit.
Eisenkot ka 28 ditë për të formuar qeverinë, me mundësi të zgjatjes së afatit edhe për 14 ditë të tjera. Nëse dështon, mundësia për të formuar qeverinë mund t’i kalojë Netanyahut. Në rast se edhe ai nuk arrin të sigurojë shumicën, mund të shpallen zgjedhje të reja.
Presidenti Herzog tha se, pas konsultimeve me të gjitha partitë, Eisenkoti kishte marrë mbështetjen e qartë të shumicës së deputetëve si kandidati me gjasat më të mëdha për të formuar qeverinë e ardhshme.
Në zgjedhjet e 27 tetorit, partia Likud e Netanyahut fitoi më së shumti ulëse si parti e vetme, gjithsej 27 nga 120 ulëset në Knesset. Megjithatë, koalicioni i tij fetaro-nacionalist siguroi vetëm 53 ulëse, pesë më pak se shumica e nevojshme prej 61 deputetësh.
Ndërkaq, partia Yashar e Eisenkotit doli e dyta me 21 ulëse. Koalicioni i tij, i përbërë nga katër parti hebraike të qendrës së majtë dhe të djathtë, siguroi gjithsej 48 ulëse. Dy partitë që përfaqësojnë pakicën arabe në Izrael fituan së bashku 19 ulëse, një rezultat i paprecedentë.

