Aktori i njohur kosovar, Armend Baloku, do të jetë pjesë e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, pasi ka siguruar votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Baloku vendosi që për herë të parë ta sprovojë veten në politikë në zgjedhjet e 7 qershorit, ku garoi me numrin 24 në listën e partisë së kryeministrit Albin Kurti.
Sipas rezultateve të deritanishme, ku janë numëruar mbi 97 për qind e votave totale, aktori ka arritur të grumbullojë mbi 25 mijë e 700 vota, rezultat që i siguron një ulëse në Kuvend për mandatin e tij të parë si deputet.
Rezultati i Armend Balokut me 97% të votave të numëruara (Foto: KQZ)
Me këtë rezultat, Baloku bëhet një nga emrat e njohur të artit që do të përfaqësojnë qytetarët në institucionin më të lartë ligjvënës të vendit. Në fakt, pothuajse të gjithë artistët që ishin pjesë e listës së Vetëvendosjes në këto zgjedhje kanë arritur të fitojnë besimin e votuesve.
Përveç Armend Balokut, mandat deputeti kanë siguruar edhe aktorja Adriana Matoshi dhe këngëtarja Edona Llalloshi, duke dëshmuar mbështetjen e konsiderueshme që figurat publike kanë marrë nga elektorati.
Armend Baloku, i cili është me origjinë nga Peja, njihet gjerësisht për skeçet e tij humoristike dhe angazhimin në projekte të ndryshme artistike ndër vite. Ai është gjithashtu bashkëshorti i aktores së njohur rugovase, Vlora Nikçi.
Tashmë, përveç karrierës së tij në skenën artistike, Baloku do të nisë edhe një kapitull të ri në jetën publike, këtë herë si përfaqësues i qytetarëve në Kuvendin e Kosovës. /Telegrafi/
