Tridhjetë e një vjet pas botimit të Hobitit [The Hobbit], në vitin 1968 BBC-ja transmetoi pjesë nga intervista e fundit e regjistruar ndonjëherë me JRR Tolkienin,. Në vitin 2019, videoja e plotë u nxor nga arkivi.
Nga: Fiona Macdonald / BBC
Përktheu: Telegrafi.com
Hobiti i JRR Tolkienit fillon me magjistarin Gandalf që viziton Bilbon, hobitin e titullit, dhe e bind të niset në një kërkim të rrezikshëm. Por, a do ta kishte pranuar vetë autori britanik sfidën? “Sikur një magjistar të kishte ardhur tek unë, kur isha djalë i vogël, situata do të kishte qenë krejtësisht ndryshe nga ajo te Hobiti”, zbuloi Tolkieni në një intervistë të rrallë, të filmuar nga BBC-ja në vitin 1968. “Do të kisha gjetur ndonjë arsye për të mos shkuar … Nuk kisha kurrfarë dëshire ta vija veten në një pozitë të pakëndshme vetëm për hir të aventurës”.
Përveç kësaj, shtoi ai, “isha edukuar shumë mirë që t’i shmangia bisedat me xhentëlmenë të moshuar të dyshimtë”.
– Lexo po ashtu: Trauma e Luftës së Parë Botërore që frymëzoi “Kryezotin e unazave”
Megjithatë, ky pohim nuk u transmetua kurrë. Vetëm disa pjesë nga intervista u transmetuan në televizion në vitin 1968, ndërsa pjesa më e madhe e saj u ruajt thellë në arkivin e BBC-së – derisa u nxor për një program radiofonik në vitin 2019. Pamjet, të cilat më parë nuk ishin parë dhe dëgjuar, përmbajnë momente befasuese sinqeriteti nga autori i Hobitit dhe Kryezotit të unazave [The Lord of the Rings] dhe zbulojnë mendimet e Tolkienit për personazhet kryesore në librat e tij më të shitur.
Hobiti u botua për herë të parë më 21 shtator 1937 dhe java kalendarike rreth kësaj date që atëherë është caktuar – për t’u kremtuar – si “Java e Tolkienit”. Në intervistën e vitit 1968, Tolkieni i tregoi BBC-së për një udhëtim në këmbë në Zvicër në vitin 1911, kur ishte vetëm 19 vjeç, gjë që e frymëzoi epikën e tij shumë të dashur.
“Një nga gjërat themelore te Hobiti është një nga të paktat aventura që kam përjetuar ndonjëherë në jetën time”, tha ai. “Kaluam shumë qafa malore … Mbanim vetëm çanta në shpinë. Flinim në vendet më të jashtëzakonshme. Patëm disa ikje nga vdekja, për një qime koke – pak a shumë si ai me shkëmbinjtë nga gjigantët – e kështu me radhë. Dhe, mendoj se kjo është arsyeja pse, në të vërtetë, udhëtimi [i Bilbos] është një përvojë e mirëfilltë personale – e ndryshuar, natyrisht. Nuk takuam asnjë goblin”.
Tolkieni diskutoi gjithashtu gjuhët e shpikura në romanet e tij fantastike. Ai e gjurmoi prejardhjen e tyre deri në kohën kur studionte klasikët në Universitetin e Oksfordit dhe shpërqendrohej nga një hobi i pazakontë – mësimi i finlandishtes. “Formimi i saj, tekstura e tingullit të saj është shumë e jashtëzakonshme”, tha ai. “Në të vërtetë, më deh së tepërmi. Thjesht u mora dhe e mësova këtë – kur duhej të merresha me gjëra të tjera – dhe njerëzit nuk mund ta kuptonin pse esetë e mia për dramën greke po bëheshin gjithnjë e më të këqija”.
Tragjedia e Gollumit
Ai pasion gjeti rrugën e vet në gjuhën e Tokës së Mesme, tha ai. “Në fillim ishte jashtëzakonisht finlandeze … Është, siç mund të thuhet, mbi një bazë finlandeze, me njëfarë sasie greqishteje të përzier dhe gjuhë të tjera që kam mësuar që atëherë”.
Dashuria e Tolkienit për gjuhët filloi në moshë të hershme dhe vazhdoi pasi u kthye nga luftimet në Luftën e Parë Botërore dhe nisi punën si asistent në Fjalorin e Oksfordit të Anglishtes [Oxford English Dictionary]. “Isha punësuar për të bërë etimologji dhe, gjatë asaj kohe, hasa në mjaft etimologji shumë interesante”, tha ai në vitin 1968. “Winter [dimër], walrus [lopa e detit], wampum [rruaza guaskash], gjëra të ndryshme të këtij lloji. Pikërisht ngaqë m’u desh të bëja etimologjinë e fjalës wampum, u njoha për herë të parë me gjuhët algonkuine të Amerikës Lindore. Pra, fjalori është një vend i mrekullueshëm”.
Ndoshta zbulimi më depërtues në intervistë erdhi kur Tolkieni fliste për Gollumin, trogloditin dashakeq të luajtur nga Andy Serkis në filmat e Peter Jacksonit – Hobiti dhe Kryezoti i unazave. Autori e përshkroi personazhin si “shembull të korrupsionit” dhe u gjallërua kur u pyet për një skenë kyçe te Kryezoti i unazave: Gollumi është me heroin e romanit, Frodon, dhe pothuajse reformohet.
“Ngjarja për të cilën ai po flet është kur Gollumi në të vërtetë po fillon të kthehet përsëri në Smeagoll [vetja e tij e mëparshme, më pak monstruoze]”, tha Stuart Lee, profesor i anglishtes në Universitetin e Oksfordit, në një program radiofonik të vitit 2019 për regjistrimet e humbura të Tolkienit. “Ai po e fiton betejën – ana e mirë po triumfon dhe ai përpiqet ta përkëdhelë Frodon, i cili është në gjumë”. Por, pastaj ndërhyn miku më i mirë i Frodos, Sami …
“Njerëzit më kanë pyetur shpesh se çfarë më prek më shumë”, tha Tolkieni. “Mendoj se pika më tragjike në gjithë tregimin është ironia e tmerrshme se e mira shpesh bën keq. Momenti më tragjik është kur Sami, në përpjekjen e tij për ta mbrojtur, thotë: ‘Hiqi duart’. Dhe, kështu, e mposht pendimin e Gollumit. Sepse, kjo më duket shumë e vërtetë për jetën”.
Megjithëse Sami vetëm përpiqet të mbrojë mikun e tij, veprimi i tij bën që Gollumi të kthehet te ana e tij e ligësisë. Kjo flet për pikëpamjen më të gjerë të Tolkienit për botën, thotë Lee. “Ajo që ndodh në mitologjinë e tij është se e mira ndonjëherë mund të bëjë pa dashje një të keqe të tepruar”.
Në pamjet e BBC-së, intervistuesi komentoi se morali në librat e Tolkienit nuk është aq i thjeshtë sa e mira kundër së keqes. “Vijat e përgjithshme janë mjaft të thjeshta”, tha autori. “Por, sigurisht, në të vërtetë nuk është kështu, apo jo? E sheh të keqen në anën e së mirës. Nuk është thjesht të mirët kundër të këqijve, siç i quajnë në gjuhën moderne”. /Telegrafi/