Punimet për hapjen e një lokali të ri brenda objektit të hotelit “Theranda”, në Qendrën Historike të Prizrenit, kanë nxitur reagime të organizatave të shoqërisë civile, opozitës dhe institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Organizata “Ec Ma Ndryshe” dhe opozita në Prizren kanë ngritur dyshime se punimet kanë nisur pa miratimet e nevojshme nga institucionet e trashëgimisë kulturore.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK), lokali i cili është duke u hapur është në pronësi të Adonis Totajt, që është djali i kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj.
Lokali gjithashtu është në pronësi edhe të një personi tjetër me emrin, Dren Elshani.
Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com ka kontaktuar Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore, të cilët kanë konfirmuar se lokali në fjalë për disa ditë ka kryer punime jashtë objektit, pa leje konkrete nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren.
Elshani ka deklaruar se lejet për punime i kanë marrë, por ka refuzuar të përgjigjet për detaje tjera.
“Jo, i kemi marrë lejet. Nuk kemi ndryshu kurrgjë, qashtu qysh ka qenë. Brenda kemi punu, jashtë kurrgjë s’kemi punu. Më fal, a bën një ditë tjetër, se shumë jam i ngarkun për momentin”- ka deklaruar Elshani.
Ai gjithashtu ka refuzuar të ndajë kontaktin e Adonis Totajt duke thënë se “S’kam qejf me i shkepë numrat”.
Pasi kontakti me Adonis Totajn nuk ishte i mundur, KALLXO.com ka kontaktuar me babanë e tij, kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj.
Përmes mesazheve telefonike, Totaj pretendon se për lokalin në fjalë janë marrë pëlqimet dhe miratimet e nevojshme nga Komuna e Prizrenit dhe nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore – QRTK .
Ai ka thënë se djali i tij nuk do të ushtrojë kompetenca ekzekutive në biznesin në fjalë.
“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftoj se djali im është aksionar në biznesin e përmendur (jo dhe pronar) por nuk do të ushtron kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë i përfshirë në menaxhimin e përditshëm të tij kur lokali të fillon me punu. Për lokalin në fjalë janë marrë pëlqimet dhe miratimet e nevojshme nga Komuna e Prizrenit dhe nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore – QRTK. Të gjitha procedurat janë zhvilluar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe janë respektuar kërkesat ligjore e institucionale që vlejnë për zonën e mbrojtur të Qendrës Historike të Prizrenit”- ka thënë Shaqir Totaj.
Në anën tjetër, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com, ka thënë se pas shqetësimeve se po vazhdojnë punimet, pas veprimeve të para, të hënën është realizuar edhe një inspektim.
Sipas tyre, është konstatuar se janë kryer disa punime në pjesën e brendshme dhe të jashtme të objektit dhe se punimet e jashtme janë realizuar pa aprovim nga institucionet e trashëgimisë kulturore.
Inspektorati po ashtu ka konfirmuar, se me 16.07.2026, lokali në fjalë është pajisur me leje nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren.
“Aty është konstatuar se janë kryer disa punime në pjesën e brendshme të ndërtesës dhe në pjesët e jashtme të ndërtesës janë bërë disa ndërhyrje dhe janë planifikuar edhe disa të tjera. Punimet e realizuara në pjesën e jashtme janë kryer pa siguruar aprovimin nga institucionet e trashëgimisë kulturore dhe komuna, përkatësisht lënda ka qenë në trajtim në institucione, ndërsa pala ka zhvilluar aktivitete të punës edhe në pjesën e jashtme të ndërtesës”- thuhet në përgjigjen e Inspektoratit.
Inspektorati bën të ditur se për këtë arsye është lëshuar vendim për ndërprerjen e punimeve dhe në objekt është vendosur shenja zyrtare e ndalimit.
Sipas Inspektoratit, edhe pse ndërtesa nuk është monument i veçantë, ajo ndodhet brenda Qendrës Historike të Prizrenit dhe për këtë arsye pjesa e jashtme e saj mbrohet me ligj.
“Është lëshuar vendimi për ndalim punimesh dhe është vendosur shenja zyrtare. Duke qenë se ndërtesa nuk është e listuar si monument i veçantë, por ndodhet brenda Qendrës Historike të Prizrenit ajo mbrohet vetëm në pjesën e jashtme dhe jo në të gjitha elementet përbërëse siç përcakton Ligji për Trashëgiminë Kulturore. Marrë për bazë faktin se punimet janë realizuar në mënyrë të paautorizuar, ITK ka vlerësuar se përmbushen kushtet për inicim të rastit në organet e drejtësisë në pajtim me shkeljen e konstatuar dhe brenda disa ditësh, e njëjta procedohet më tutje”- thuhet më tutje në përgjigje.
Megjithatë, Inspektorati konfirmon se më 16.07.2026, pas kontakteve me Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, është konfirmuar se pala është pajisur me leje nga ky institucion.
“Është e rëndësishme të theksohet se sot pas kontaktit me zyrtarët e QRTK Prizren, të njëjtit konfirmuan se pala është pajisur me leje nga këta të fundit”- bën të ditur Inspektorati.
Asamblisti i Lëvvizjes Vetëvendosjes, Sokol Selmani tha se ai personalisht është informuar me 08.07.2026 nga ana e qytetarëve, në lidhje me këto punime.
“Me 8 korrik disa qytetarë më kanë shkruajtur në Facebook dhe ne rrjete të ndryshme sociale, ku më kanë dërgu sinjalin, informacionin ku brenda Qendrës Historike te hotel “Theranda” po punohet nga dikush, që sipas qytetarëve aludonin që është djali i Shaqir Totajt”- është shprehur Selmani.
Më tej, ai thot se sipas përgjigjes së QKRT-së drejtuar organizatës “Ec ma Ndryshe”, thuhet që se “po bëhen punime të kundërligjshme apo pa pëlqime të institucioneve relevante”.
“Me 10 korrik e kemi pa OJQ ‘Ec ma Ndryshe’ e ka bo një reagim në rrjetin social Facebook, edhe ai reagim i tyre ka ardhë pasi ata e kanë pyetur Qendrën Historike të Prizrenit, për zhvillimin e punimeve në lokacionin në fjalë. Në bazë të përgjigjes që mund ta shihni aty, QKRT-së drejtuar organizatës Ec ma Ndryshe, thuhet që po bëhen punime të kundërligjshme apo pa pëlqime të institucioneve relevante, në këtë rast QKRT-së”- shton tutje Selmani.
