Në qendrën e Prishtinës janë evidentuar raste të hedhjes së mbeturinave në mënyrë të parregullt, përfshirë edhe vendosjen e dyshekëve pranë kontejnerëve, çka ka penguar përdorimin e tyre nga qytetarët.
Sipas njoftimit të KRM “Pastrimi”, në disa lokacione janë vërejtur edhe thasë të mbeturinave të lëna jashtë kontejnerëve, duke krijuar vështirësi në menaxhimin e mbeturinave në këtë zonë.
“Janë hedhur dyshekë duke bllokuar kontejnerët e mbeturinave, ndërsa thasët e zinj janë lënë jashtë tyre”, thuhet në njoftim.
Ndërmarrja publike u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë lokacionet e caktuara për deponimin e mbeturinave dhe t’i dërgojnë ato në pikat e përcaktuara, me qëllim të ruajtjes së pastërtisë dhe funksionalitetit të hapësirave publike. /Telegrafi/