Habiba duhej të merrte të shtunën vaksinat e saj të moshës dymuajshe. Në vend të kësaj, familja vajtoi vdekjen e saj dhe të shtatëmuajshes Aseel, pasi një zjarr përfshiu tendën ku të afërmit e tyre ishin mbledhur në jug të Rripit të Gazës.
Vizita e familjes në al-Mawasi, në perëndim të Khan Younisit, përfundoi në një përpjekje të dëshpëruar për të shpëtuar dy foshnjat, kur të premten pasdite shpërtheu zjarri.
Të dyja pësuan djegie të rënda dhe u shtruan në kujdesin intensiv. Ato ndërruan jetë të shtunën në mëngjes.
Kompleksi Mjekësor Nasser i identifikoi ato si Habiba Mohammed Zanoun, dymuajshe, dhe Aseel Abu Suhayban, shtatëmuajshe.
Burime thanë për Anadolu se zjarri nisi gjatë gatimit të ushqimit brenda tendës.
Sipas tyre, mungesat e mëdha të gazit për gatim dhe të furnizimeve bazë, si pasojë e bllokadës izraelite, i kanë detyruar familjet e zhvendosura të përgatisin ushqimin mbi flakë të hapura.
Gjyshja e vajzave tha se vajza e saj kishte ardhur për të vizituar familjen në tendën e tyre kur papritur shpërtheu zjarri.
“Pse po na ndodh e gjithë kjo?”, pyeti ajo. “Çdo ditë ka aksidente, bombardime dhe zjarre, dhe njerëzit po vdesin në mënyra të shumta”, shtoi ajo.
“Prej tre vitesh po jetojmë kështu, mes zhvendosjes, ankthit dhe dhimbjes”, shpjegoi gjyshja.
Zjarri ishte njëri nga tri zjarret e raportuara të premten në tendat e familjeve të zhvendosura në Gazën qendrore dhe jugore, sipas burimeve.
Për shkak të mungesës së gazit për gatim, familjet janë detyruar të përdorin zjarre të improvizuara për të përgatitur ushqimin. Brenda strehimoreve të mbipopulluara, të ndërtuara me materiale të ndezshme, një nevojë e përditshme mund të rrezikojë jetën e njerëzve.
Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) paralajmëroi në qershor se gatimi brenda tendave të familjeve të zhvendosura ishte një nga shkaqet kryesore të zjarreve.
Batanijet, copat e vjetra të pëlhurave, kartoni dhe mbulesat plastike që përdoren për të përforcuar strehimoret bëjnë që flakët të përhapen me shpejtësi dhe e vështirësojnë shuarjen e zjarreve, thuhej në paralajmërim.
Gjyshja, e cila po vajton humbjen e dy mbesave, i bëri thirrje botës që t’u kushtojë vëmendje familjeve të zhvendosura në Gaza dhe të ndihmojë në përfundimin e vuajtjeve të tyre. /AA/

