Drejtori ekzekutiv i “Avonet”, Kenan Gashi, ka shprehur dilema nëse Kosova është afër marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pavarësisht deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti në Bruksel.
Në emisionin FIVE, Gashi ka thënë se në Kosovë shpesh krijohen shpresa për zhvillime të tilla, ndonëse, sipas tij, nuk ekzistojnë gjithmonë kushtet e nevojshme për to.
Ai ka vënë në pikëpyetje deklaratat e Kurtit, duke thënë se ato nuk përputhen plotësisht me gjendjen aktuale të vendit dhe vlerësimet e Raportit të Progresit të Bashkimit Evropian.
“Kur e dëgjoj z. Kurti, apo thirrjet e përgjithshme në vendin tonë, i bëj pyetje vetes. Kur e sheh Raportin e Progresit dhe gjendjen aktuale, thua: A jam duke jetuar në këtë vend apo ku është duke folur?”, ka deklaruar Gashi.
Ai ka theksuar se Kosova duhet të punojë shumë më tepër, ndërsa ka kritikuar, siç ka thënë, mungesën e veprimit nga institucionet dhe angazhimin e pamjaftueshëm shoqëror.
“Ne duhet të bëjmë shumë punë. Si popull pak bëjmë, e si institucione pak veprojmë. Kjo është përgjegjësi”, ka thënë Gashi.

