Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Gëzim Berisha, është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”.
Lajmin për Lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, e cila ka bërë të ditur se ndalimi është bërë me urdhër të prokurorit kujdestar.
“Ju konfirmojmë se me urdhër të Prokurorit kujdestar, është ndaluar për 48 orë, personi me inicialet G.B., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’, nga neni 248 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Ndërkohë, Prokurori i Shtetit po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti”, ka deklaruar Shala.
Ndërkaq, burime të “Betimi për Drejtësi” kanë raportuar se Berisha dyshohet se e ka kërcënuar bashkëshorten e tij duke i thënë se do t’i ndodhë e njëjta gjë sikurse Arlinda Zekajt.
Kujtojmë se Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor 2026, ndërsa për rastin dyshohet ish-kunati i saj, Albert Sylaj. Viktima paraprakisht kishte raportuar ish-bashkëshortin e saj, Jeton Sylaj, për dhunë në familje.
Hetimet për rastin ndaj Gëzim Berishës janë duke vazhduar./lajmi.net/

