Dosja e Prokurorisë në rastin “Heshtja” zbulon detaje të reja për mënyrën se si dyshohet se funksiononte grupi i përfshirë në shitjen e kokainës, ku secili nga të dyshuarit kishte rol të caktuar, nga furnizimi me narkotikë deri te shpërndarja dhe mbledhja e parave.
Sipas skemës së hetimit policor, të përfshirë në dosjen e siguruar nga Insajderi, Mërgim Stanovci dhe ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija, dyshohet se ishin furnizuesit kryesorë të kokainës.
Në qendër të organizimit, sipas Prokurorisë, ishte Jeton Stanovci, i njohur me nofkën “Daja”. Ai dyshohet se koordinonte aktivitetet e grupit, pranonte sasitë e narkotikëve, kujdesej për ndarjen e tyre në sasi më të vogla dhe menaxhonte paratë e siguruara nga shitja.
Një rol tjetër në këtë organizim dyshohet se kishte Alban Maloku, i cili, sipas hetimeve, komunikonte drejtpërdrejt me “Dajën” dhe merrej me ruajtjen e sasive të narkotikëve dhe furnizimin e shpërndarësve.
Ndërkaq, në nivelin e shpërndarjes ishin Gëzim Feka, Arianit Beqiri dhe Albert Krasniqi, të cilët dyshohet se merrnin kokainën për ta shpërndarë te blerësit.
Si komunikonte grupi i dyshuar?
Përgjimet e përfshira në raportin e masave të veçanta hetimore përshkruajnë komunikime të shpeshta ndërmjet të dyshuarve, ku diskutoheshin furnizimet, sasitë e shitura, borxhet e klientëve dhe paratë e mbledhura.
Sipas materialit të Prokurorisë, Jeton Stanovci përdorte pseudonimin “Daja”, ndërsa Astrit Haraqija dyshohet se identifikohej me nofkën “Ministri”.
Në një komunikim të 3 majit 2026, Gëzim Feka e njofton “Dajën” se një blerës i identifikuar si “Roberti” po kërkonte një gram kokainë borxh deri të nesërmen.
Ndërsa më 6 maj, sipas dosjes, “Daja” shpreh pakënaqësi për sasinë e vogël të shitjeve dhe e pyet Fekën nëse dikush kishte marrë ndonjë sasi.
Një tjetër komunikim i përmendur në dosje është ai i 12 majit, kur Feka dyshohet se e njofton “Dajën” se kishte pranuar një sasi të narkotikëve nga personi që identifikohej si “Ministri”, për të cilin Prokuroria pretendon se bëhet fjalë për Astrit Haraqijën.
Në një bisedë të 17 majit, “Daja” e udhëzon Fekën t’i dërgojë një personi të identifikuar si “Galqi” 10 gramë, por ky i fundit i përgjigjet se nuk kishte më sasi, pasi kishte shitur 495 gramë. Në të njëjtin komunikim përmendet edhe sasia që pretendohet se kishte shitur Arianit Beqiri.
Dosja përshkruan edhe një rast të 18 majit, kur Arianit Beqiri dyshohet se kishte mbledhur rreth 40 mijë euro nga shitjet javore dhe i kishte dërguar në objektin ku banonte Jeton Stanovci. Sipas Prokurorisë, paratë në atë lokacion i kishte pranuar Albana Xhemjali.
Bisedat e zbuluara në përgjime
Materiali hetimor përmban edhe komunikime të tjera mes të dyshuarve gjatë muajve korrik dhe shtator, ku, sipas Prokurorisë, diskutohen barazimet, vonesat dhe sasitë e ndryshme.
Në bisedën e 4 korrikut 2026, në orën 11:51, Gëzim Feka komunikon me Jeton Stanovcin lidhur me disa barazime. Gjatë bisedës, Stanovci përmend shumën 1 mijë e 340, ndërsa Feka i thotë se do t’i rregullojë punët dhe do t’ia dërgojë.
Ndërkaq, në një komunikim të 31 korrikut 2026, në orën 19:51, “Daja” i shpreh pakënaqësi Fekës për vonesat dhe e pyet nëse i kishte kryer disa punë.
Gjatë bisedës, Feka përmend disa persona, ndërsa Stanovci e nxit që të vazhdojë dhe t’i përfundojë obligimet.
Në përgjimet e tjera, sipas dosjes, diskutohen edhe mospërputhjet në sasi, borxhet e klientëve dhe furnizimet e reja. Në një komunikim të 16 shtatorit, Feka e pyet “Dajën” për çmimin e një sasie prej një kilogrami dhe më pas e vë një blerës në kontakt me të.
Sipas materialit të Prokurorisë, këto komunikime paraqesin mënyrën e dyshuar të funksionimit të grupit dhe ndarjen e roleve ndërmjet anëtarëve të tij.
Biseda e datës 31.07.2026, ora 19:51:52
Sipas dokumentit, Gëzim Feka bisedon me Dajën për shkak të vonesave dhe Daja i thotë:
- Gëzim Feka: Urmo babo.
- Daja (Jeton Stanovci): Xhambo je hup krejt o vlla, a nin a s’nin, a te fala.
- Gëzim Feka: S’ma qelke plaku.
- Daja (Jeton Stanovci): A e kryve Burakun.
- Gëzim Feka: Jo.
- Daja (Jeton Stanovci): Pse, qa kryve deri qitash?
- Gëzim Feka: Tefikun edhe Belin.
- Daja (Jeton Stanovci): Nisu bre babush.
- Gëzim Feka: Qe te Hallaçi jam qitash, edhe pe kryj plakun edhe po ja therri te Buraku.
Në këtë rast, gjashtë të dyshuarit janë Jeton Stanovci, Gëzim Feka, Arianit Beqiri, Albana Xhemjali Ramadani, Astrit Haraqija dhe Alban Maloku.
Ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Megjithatë, pretendimet e përfshira në dosjen e Prokurorisë dhe përgjimet e administruara si prova nuk përbëjnë vendim përfundimtar mbi fajësinë e personave të dyshuar. /Lajmi.net/

