Çështja penale ndaj këngëtarit të njohur, Luiz Ejlli, i cili akuzohet për falsifikim dokumentesh, është rikthyer sërish në fokusin e drejtësisë shqiptare. Prokuroria nuk është pajtuar me vendimin e Gjykatës së Apelit që e shpalli atë të pafajshëm, duke e dërguar dosjen në Gjykatën e Lartë.
Sipas njoftimeve zyrtare, seanca për shqyrtimin e rekursit të depozituar nga organi i akuzës pritet të mbahet më 24 nëntor, ndërsa çështja do të relatrohet nga gjyqtari Sokol Binaj.
Për çfarë akuzohet Luiz Ejlli?
Luiz Ejlli akuzohet për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, të kryer në bashkëpunim. Sipas dosjes së Prokurorisë, ngjarja lidhet me periudhën kur Ejlli kishte humbur licencën e noterit, por dyshohet se ka përdorur vulën noteriale për të hartuar një deklaratë që justifikonte burimin e një shume të majme prej 210 mijë eurosh, në favor të shtetasit Fatmir Avdurramani.
Kalvari gjyqësor: Nga dënimi me burg te pafajësia
Kjo çështje ka kaluar nëpër dy shkallë të gjyqësorit me vendime krejtësisht të kundërta:
2 tetor 2024: Gjykata e Shkallës së Parë në Fier e shpalli fajtor këngëtarin, duke e dënuar me 1 vit burgim, ndërsa bashkëpandehuri i tij, Fatmir Avdurramani, u dënua me 18 muaj burgim.
8 maj 2025: Gjykata e Apelit në Tiranë rrëzoi vendimin e shkallës së parë, duke i shpallur të pafajshëm të dy të pandehurit.
Pas këtij vendimi, Prokuroria e Apelit depozitoi rekurs në Gjykatën e Lartë, e cila tashmë pritet të japë fjalën e fundit nëse pafajësia e Luiz Ejllit do të mbetet në fuqi apo çështja do të rikthehet sërish në gjykim.

