Bashkëpunimi i prezantuar gjatë Javës së Modës në Milano synon brezin e ri dhe do të përfshijë modën, bukurinë dhe një platformë krejtësisht të re krijuese
Donatella Versace po rikthehet në një rol të fortë krijues me një projekt të ri që bashkon modën, bukurinë dhe kulturën bashkëkohore.
Lajmi u bë i ditur gjatë Javës së Modës në Milano, ku u njoftua partneriteti mes dizajneres së njohur dhe kompanisë amerikane Revolve Group Inc.
Bëhet fjalë për një projekt të pavarur, i cili pritet të pasqyrojë vizionin personal të Donatella Versaces dhe të jetë i orientuar drejt mënyrës se si brezi i ri e zbulon stilin, konsumon përmbajtje, blen dhe lidhet me markat.
“Kultura lind nga lidhja”
Donatella ka theksuar se pikërisht mënyra se si Revolve krijon marrëdhënie me publikun e ri ishte një nga arsyet kryesore të këtij bashkëpunimi.
“Revolve kupton diçka në të cilën besoj thellësisht: kultura lind nga lidhja. Së bashku duam ta krijojmë këtë lidhje me një zë të ri, një pamje të re dhe një energji të re”, ka deklaruar ajo.
Partneriteti pritet të përfshijë fusha të modës dhe bukurisë, ndërsa detajet e plota të projektit ende nuk janë zbuluar.
Profimedia
Revolve, një emër i fuqishëm në tregun online
Revolve Group është themeluar në vitin 2003 nga Michael Mente dhe Mike Karanikolas dhe sot është një nga emrat më të njohur të tregtisë online të modës në SHBA.
Kompania operon përmes dy platformave kryesore, Revolve dhe Fwrd, dhe në ofertën e saj përfshin rreth 1.600 marka.
Në vitin 2025, Revolve regjistroi të ardhura totale prej rreth 1.23 miliardë dollarësh.
Kompania ka zgjeruar gjithashtu praninë në industrinë e bukurisë dhe në bashkëpunimet me figura të njohura publike, përfshirë Cardi B dhe Sofia Richie Grainge.
“Do të ndërtojmë diçka nga fillimi”
Michael Mente, bashkëthemelues dhe bashkëdrejtor ekzekutiv i Revolve, e ka cilësuar Donatellën si një nga zërat krijues më të rëndësishëm të kohës.
Sipas tij, partneriteti i ri i jep asaj një platformë dhe liri për të ndërtuar diçka krejtësisht të re.
Edhe Raissa Gerona, presidente për markën dhe partneritetet, ka theksuar aftësinë e Donatellës për ta lidhur modën me kulturën dhe për të kuptuar mënyrën se si mendon brezi i ri.
Ndërsa Mike Karanikolas ka deklaruar se kombinimi i autoritetit krijues të Donatella Versaces me teknologjinë, infrastrukturën dhe shtrirjen globale të Revolve krijon mundësi për një projekt afatgjatë dhe të veçantë. /Telegrafi/