Mesfushori Bruno Fernandes ka deklaruar se Portugalia është e vendosur ta fitojë Kupën e Botës 2026, duke theksuar se një sukses i tillë do të ishte mënyra perfekte për ta kurorëzuar karrierën e Cristiano Ronaldos në arenën ndërkombëtare.
Kapiteni i Manchester United ka folur në një intervistë me Wayne Rooney, ku u shpreh se ekipi synon ta bëjë realitet ëndrrën e madhe jo vetëm për Portugalinë, por edhe si vlerësim për ndikimin e Ronaldos në futboll.
“Mbyllja e këtij Botërori me Cristianon duke fituar do të ishte diçka e jashtëzakonshme. Shpresoj shumë që ta bëjmë të mundur, jo vetëm për Portugalinë, por për gjithçka që Cristiano i ka dhënë futbollit dhe botës”, u shpreh Fernandes.
Portugalia hyn në Botërorin 2026 si një nga kombëtaret që llogaritet seriozisht për trofeun. Sipas simulimeve të superkompjuterit të Opta-s para turneut, Portugalia e fiton titullin në 7% të skenarëve, ndërsa përpara saj renditen vetëm Spanja (16%), Franca (12%), Anglia (11%) dhe Argjentina (11%).
“Seleçao” janë aktualisht kampionët në fuqi të Ligës së Kombeve, trofe që e kanë fituar dy herë (2019 dhe 2025), ndërsa një dekadë më parë u shpallën edhe kampionë të Evropës.
Cristiano Ronaldo, rekordmen i golave në futbollin e kombëtareve me 143 gola, ka qenë kapiten fitues në të tre sukseset, megjithatë Kupa e Botës ka mbetur ende “pengu” i madh për të dhe Portugalinë.
Kombëtarja portugeze është në paraqitjen e saj të nëntë në Botëror, me arritjet më të mira gjysmëfinalet në vitet 1966 dhe 2006. Në moshën 41-vjeçare, Botërori 2026 pritet të jetë tentativa e gjashtë dhe e fundit e CR7 për lavdinë e madhe.
Portugalia e nis fushatën në Grupin K më 17 qershor ndaj RD Kongos, ndërsa në grup ndodhen edhe Uzbekistani dhe Kolumbia./Telegrafi