Zvicra regjistroi fitoren e parë në fazën e grupeve të Kupës së Botës, duke mposhtur Bosnjën me rezultat bindës 4-1, ku Granit Xhaka shënoi golin e fundit në këtë sfidë nga penalltia.
Pas ndeshjes, atmosfera në kampin helvetik ishte mjaft pozitive, ndërsa kapiteni Granit Xhaka u ndal edhe te kritikat që e kanë shoqëruar gjatë ditëve të fundit.
Duke folur për paraqitjen ndaj Bosnjës, mesfushori shqiptar u shpreh shumë i kënaqur me mënyrën se si skuadra reagoi.
“Nëse duhen lëvdata, atëherë do t’ia jap ekipit. Nëse është e nevojshme të kritikohet, do ta bëj edhe këtë. Sot pamë një Zvicër të fortë. Ishim një njësi, me dhe pa top. Bëmë punën e pistë dhe fituam duele të rëndësishme. Luajtëm shumë mirë për 90 minuta”, deklaroi Xhaka për SRF.
Kapiteni vlerësoi edhe kontributin e futbollistëve që u aktivizuan nga stoli, duke theksuar se suksesi vjen vetëm përmes forcës së grupit.
“E dinim se duhej të funksiononim si një ekip. Kemi cilësi individuale, por sot edhe ata që hynë gjatë lojës bënë diferencën. Na duhet çdo lojtar. Duhej të ishim të përgatitur mendërisht, edhe nëse nuk luanim nga minuta e parë”, shtoi ai.
Xhaka komentoi edhe kritikat e fundit ndaj tij, duke pranuar se disa gjëra e kanë lënduar, por duke theksuar se mbështetja e ekipit është ajo që ka më shumë rëndësi.
“Njerëzit e dinë se kush jam. Unë e kritikoj veten para se të kritikoj dikë tjetër. Gjithçka që them interpretohet ndryshe, por nuk di të jem ndryshe. Zvicra mund të jetë krenare që ka një lojtar me 148 paraqitje për kombëtaren, që luan me krenari të pastër për këto ngjyra. Ndoshta kam nevojë për këtë, të provokoj pak. Për mua ka rëndësi që ekipi të jetë pas meje. Gjithçka tjetër nuk më ka interesuar kurrë”, tha ai.
Mesfushori pranoi se ditët e fundit nuk kanë qenë të lehta.
“Do të gënjeja nëse do të thosha se gjithçka ishte mirë. Më dhembin disa gjëra, sepse ka gjëra që nuk i kuptoj. Janë shkruar shumë dhe një artikull i madh para dy ditësh nuk kaloi pa u vënë re. Por unë mund të ndikoj vetëm në atë që ndodh në fushë. Nuk kam ndjesinë se qoftë edhe një për qind e ekipit nuk është pas meje”.
Në fund, kapiteni i Zvicrës e bëri të qartë objektivin e tij: “Unë jam këtu për suksesin dhe do të vazhdoj ta kërkoj atë për aq kohë sa do të jem këtu”, përfundoi Xhaka. /Telegrafi/
