Dita e Falënderimeve simbolizon mirënjohjen, solidaritetin dhe vlerat e përbashkëta, tha presidentja Justina Shiroka-Pula.
Ajo këto komente i bëri gjatë një vizite të përbashkët me të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, në kremtimin e Ditës së Falënderimeve në kampin Bondsteel.
Shiroka-Pula me këtë rast ritheksoi mirënjohjen e përhershme të popullit të Kosovës për mbështetjen amerikane në ditët më të vështira të historisë së vendit në rrugën drejt lirisë dhe në ndërtimin e shtetit.
Ajo shprehu falënderim të veçantë për gratë dhe burrat e ushtrisë amerikane, të cilët prej gati tri dekadash kontribuojnë në sigurinë dhe paqen në vendin tonë, duke thënë se Kosova i konsideron pjesëtarët e ushtrisë amerikane pjesë të familjes.
Në emër të qytetarëve të Kosovës, presidentja Shiroka-Pula i falënderoi për shërbimin, përkushtimin dhe sakrificën, duke ritheksuar se Kosova do të vazhdojë të ruajë dhe forcojë miqësinë me SHBA-në.
Dita e Falënderimeve është një festë mirënjohjeje, solidariteti dhe mbledhjeje familjare, e cila në Shtetet e Bashkuara festohet çdo vit të enjten e katërt të nëntorit. Festa ka rrënjë te traditat e të korrave dhe te mbledhja e vitit 1621 në Plymouth të Massachusetts mes kolonëve dhe vendasve amerikanë.
Ajo u shpall festë kombëtare në SHBA në vitin 1863 nga presidenti Abraham Lincoln dhe u formalizua me ligj në vitin 1941. Në Kosovë, kjo ditë shënohet shpesh si shprehje mirënjohjeje ndaj partneritetit amerikan dhe ushtarëve të SHBA-së në kampin Bondsteel.

