Banka e Zhvillimit pranë Këshillit të Evropës (CEB) mbetet një partner kyç i vendit për realizimin e projekteve në arsim, infrastrukturë sociale dhe mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla. Kjo u rikonfirmua në takimin midis ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, dhe zëvendësguvernatorit të CEB-it, Tomas Boçek, ku u diskutua për ecurinë e projekteve aktuale dhe planet e ardhshme, njoftojnë nga Minisria e Financave.
“Vazhdojmë ta përforcojmë partneritetin me CEB-in, duke e orientuar përkrahjen drejt projekteve që kontribuojnë në shërbime publike më të mira, arsim më cilësor dhe zhvillim ekonomik”, theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.
CEB-i është i pranishëm në vend që nga viti 1997 dhe deri më tani ka miratuar kredi për 10 projekte në sektorin publik, në vlerë të përgjithshme prej 314 milionë eurove, gjithashtu, CEB-i ka dhënë përkrahje të konsiderueshme për sigurimin e granteve investuese dhe granteve për asistencë teknike në përgatitjen e projekteve.
“Përkrahja është e orientuar drejt infrastrukturës sociale dhe integrimit social, duke përfshirë shëndetësinë, arsimin, drejtësinë dhe banesat sociale, si dhe përkrahjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme. Në takim u shqyrtua realizimi i projekteve aktuale, ndër të cilat edhe financimi shtesë përmes kredisë dhe granteve, në vlerë të përgjithshme prej 24.1 milionë eurove, për ndërtimin, mbikëqyrjen dhe pajisjen e 30 sallave sportive në shkollat fillore, si dhe për rikonstruksionin e shkollave fillore dhe të mesme.
Kjo përkrahje është vazhdimësi e projektit të realizuar me sukses, në kuadër të të cilit u ndërtuan dhe u pajisën 70 objekte sportive në shkollat fillore, ndërsa u rikonstruktuan edhe 90 shkolla fillore dhe të mesme. Bashkëpunimi me CEB-in përfshin edhe një linjë kredie prej 50 milionë eurosh për krijimin e vendeve të punës në ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, e cila realizohet përmes Bankës Zhvillimore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.