KORREKT / SOT25 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Dimër i vështirë, miliarda për energjinë e importuar dhe premtime të papërmbushura: Çfarë po ndodh me sektorin energjetik të Kosovës?

Dimër i vështirë, miliarda për energjinë e importuar dhe premtime të papërmbushura: Çfarë po ndodh me sektorin energjetik të Kosovës?

Kosova po hyn në sezonin dimëror 2026/2027 me sfida të konsiderueshme në sektorin e energjisë elektrike. Varësia nga importi, rritja e konsumit gjatë muajve të ftohtë, kufizimet në kapacitetet prodhuese vendore dhe çmimet e larta në tregjet ndërkombëtare po e bëjnë gjithnjë e më të ndjeshme situatën energjetike në vend.

Të dhënat e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) tregojnë se gjatë vitit 2025 Kosova importoi rreth 1.96 milionë megavat-orë energji elektrike, krahasuar me rreth 1.38 milionë megavat-orë në vitin 2024. Kjo paraqet rritje prej rreth 42 për qind brenda një viti.

Përveç rritjes së sasisë së importuar, shqetësues mbetet edhe çmimi me të cilin Kosova detyrohet të sigurojë energji nga tregjet e jashtme. Sipas të dhënave të ZRRE-së, çmimi mesatar i importit përmes kontratave komerciale gjatë vitit 2025 ishte 121.56 euro për megavat-orë.

Ndërkohë, të dhënat e kostove të lejuara në MAR, të cilat përfshijnë periudhën 2016–2024, tregojnë se shpenzimet e planifikuara për blerjen e energjisë kanë ndryshuar dukshëm ndër vite. Këto shifra paraqesin kostot e lejuara rregullative dhe nuk janë të njëjta me pagesat faktike për importin e energjisë.

Kostot e blerjes së energjisë elektrike (2016–2024)

Kostot e lejuara të blerjes së energjisë
Në milionë euro (€), sipas tabelës MAR të ZRRE-së.

ZRRE-ja: Përgatitjet për dimër kërkojnë koordinim të vazhdueshëm

Në përgjigjet për Lajmi.net, ZRRE-ja ka bërë të ditur se përgatitjet për sezonin dimëror kërkojnë angazhim të vazhdueshëm të të gjithë akterëve të sektorit energjetik.

“ZRRE-ja vlerëson se përgatitjet për sezonin dimëror kërkojnë koordinim të vazhdueshëm ndërmjet të gjithë akterëve të sektorit dhe monitorim të afërt të prodhimit vendor, kërkesës, kapaciteteve të rrjetit dhe mundësive për sigurimin e energjisë nga tregu”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Sipas ZRRE-së, institucionet dhe operatorët përkatës janë të angazhuar në marrjen e masave për sigurimin e furnizimit gjatë periudhës së konsumit të lartë.

“Përgatitjet përfshijnë optimizimin e kapaciteteve prodhuese vendore, mirëmbajtjen dhe përgatitjen e rrjetit, si dhe sigurimin e kapaciteteve të nevojshme për import dhe balancim të sistemit”, ka bërë të ditur ZRRE-ja.

Megjithatë, rregullatori ka sqaruar se përgjegjësia për planifikimin dhe menaxhimin operativ të furnizimit nuk i takon drejtpërdrejt atij.

“ZRRE-ja, në kuadër të kompetencave të saj, monitoron përmbushjen e detyrimeve të operatorëve dhe furnizuesve të licencuar, ndërsa planifikimi dhe menaxhimi operativ i furnizimit u takojnë subjekteve përgjegjëse të sektorit”, thuhet në përgjigje.

Importi gjatë vitit 2026, mbi 76 milionë euro për nëntë muaj sipas të dhënave të raportuara

Të dhënat e dërguara nga ZRRE-ja për Lajmi.net tregojnë se edhe gjatë vitit 2026 importi i energjisë elektrike ka vazhduar të përbëjë një kosto të konsiderueshme.

Sipas të dhënave të KESCO/FSHU-së, gjatë periudhës janar-shtator 2026 janë importuar 306 mijë e 660 megavat-orë energji elektrike, me vlerë prej 37 milionë e 309 mijë e 865 eurosh.

Ndërkaq, sipas të dhënave të KEDS-it, importi për të njëjtën periudhë ka arritur në 329 mijë e 593.4 megavat-orë, me vlerë prej 39 milionë e 508 mijë e 59.71 eurosh.

ZRRE-ja i ka paraqitur këto të dhëna veçmas për dy subjektet. Për këtë arsye, ato nuk duhet të trajtohen si një shifër e vetme e importit pa u sqaruar dallimet në raportimin e tyre.

Ndërkaq, lidhur me obligimet e saj si furnizues i energjisë elektrike, KESCO, ka theksuar se vepron në përputhje me legjislacionin dhe kërkesat rregullative në fuqi.

“KESCO Sh.A., si kompani e licencuar dhe subjekt i rregulluar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), operon në përputhje me obligimet ligjore dhe rregullative në fuqi, përfshirë edhe obligimet për raportim dhe ofrim të të dhënave pranë institucionit rregullator”, thuhet në përgjigjen e KESCO-s për lajmi.net.

Pse Kosova vazhdon të blejë energji nga jashtë?

Në lidhje me arsyet që e bëjnë Kosovën të varur nga importi, ZRRE-ja ka theksuar se problemi lidhet kryesisht me diferencën ndërmjet kërkesës për energji elektrike dhe kapaciteteve vendore për prodhimin e saj.

“Nevoja për import lidhet kryesisht me diferencën ndërmjet kërkesës për energji elektrike dhe energjisë që mund të sigurohet nga prodhimi vendor në periudha të caktuara. Kjo nevojë është veçanërisht e theksuar gjatë muajve të dimrit, kur kërkesa për energji rritet ndjeshëm”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.

Një tjetër faktor, sipas rregullatorit, është disponueshmëria e njësive prodhuese vendore, përfshirë periudhat kur ato janë jashtë funksionit për shkak të mirëmbajtjes dhe rehabilitimit.

ZRRE-ja ka përmendur edhe mospërputhjen ndërmjet orareve të prodhimit dhe konsumit.

“Nevoja për import mund të lindë edhe nga mospërputhja në orare ndërmjet prodhimit dhe konsumit, veçanërisht në orët e pikut, pavarësisht bilancit vjetor të energjisë”, ka sqaruar ky institucion.

A rrezikohen qytetarët nga shtrenjtimi i energjisë?

Një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve mbetet mundësia e rritjes së tarifave të energjisë elektrike, veçanërisht në një periudhë kur çmimet në tregjet ndërkombëtare po shënojnë rritje.

të pyetur nga Lajmi.net nëse ekziston rreziku i shtrenjtimit të energjisë si pasojë e kostos së importit, ZRRE-ja nuk ka dhënë një parashikim nëse do të ketë apo jo rritje të tarifave.

“Procesi i shqyrtimit të tarifave të energjisë elektrike zhvillohet në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative në fuqi, përmes shqyrtimit të të hyrave të lejuara maksimale të operatorëve dhe Furnizuesit me Shërbim Universal, si dhe përmes procesit përkatës të konsultimit publik”, thuhet në përgjigje.

ZRRE-ja ka theksuar se kostot e importit janë një nga faktorët që ndikojnë në kostot e furnizimit, por ato nuk përkthehen automatikisht në rritje të tarifave për konsumatorët.

“Kostot e importit janë një ndër faktorët që ndikojnë në kostot e furnizimit, por ndryshimi i tyre nuk përkthehet automatikisht në ndryshim të tarifave”, ka sqaruar rregullatori.

Sipas ZRRE-së, gjatë shqyrtimit tarifor analizohen edhe kostot operative, humbjet e lejuara, zhvlerësimi, kthimi i lejuar mbi investimet dhe korrigjimet rregullative nga periudhat paraprake.

Ndërkohë, struktura aktuale e tarifave, e miratuar nga Bordi i ZRRE-së më 7 maj 2026, është në fuqi për vitin tarifor 2026, përkatësisht nga 1 prilli 2026 deri më 31 mars 2027.

Ministrja paralajmëron dimër të vështirë: Çmimet në treg arrijnë në 500 euro për MWh

Paralajmërime për një dimër të vështirë energjetik ka dhënë edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

E ftuar më 11 nëntor 2026 në emisionin “Politiko” në Kanal10, Rizvanolli ka deklaruar se çmimet në tregjet ndërkombëtare kanë arritur në rreth 500 euro për megavat-orë që në ditët e para të nëntorit.

Ajo e ka krahasuar situatën aktuale me krizën energjetike të vitit 2021, kur çmime të tilla ishin regjistruar në kulmin e sezonit dimëror.

Sipas ministres, një nga arsyet kryesore për këtë situatë është konflikti në Iran dhe mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, që ka ndikuar në furnizimin ndërkombëtar me naftë dhe gaz natyror të lëngëzuar.

Rizvanolli ka bërë të ditur se edhe Kosova po përballet me vështirësi në prodhimin vendor, veçanërisht për shkak të bllokut B1 të Termocentralit Kosova B, i cili është jashtë funksionit që nga 6 prilli 2026, për shkak të investimeve në elektrofiltra dhe sistemin e deazotizimit.

Ministrja ka pranuar se projekti ka pasur vonesa, ndërsa ka thënë se Ministria ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me KEK-un dhe Bashkimin Evropian për përshpejtimin e punimeve.

Si një prej masave për përballimin e situatës, ministrja ka përmendur edhe rritjen e kapaciteteve interkonektive me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut për gjithsej 350 megavat.

Konsumi dhe humbjet e energjisë, çfarë tregojnë të dhënat ndër vite?

Të dhënat e konsumit dhe humbjeve të energjisë elektrike nga viti 2016 deri në vitin 2021 tregojnë se konsumi në amvisëri ka shënuar rritje të konsiderueshme.

Në vitin 2016, konsumi i amvisërive ishte 2,213.8 GWh, ndërsa në vitin 2021 arriti në 3,131 GWh. Kjo paraqet rritje prej rreth 41.4 për qind brenda pesë vjetësh.

Edhe konsumi komercial u rrit nga 856 GWh në vitin 2016 në 1,145 GWh në vitin 2021.

Ndërkohë, konsumi industrial ishte 616.1 GWh në vitin 2016, ndërsa në vitin 2021 arriti në 842 GWh.

Sa u përket humbjeve komerciale, ato ishin 800.4 GWh në vitin 2016, ndërsa në vitin 2021 u regjistruan 758 GWh. Brenda kësaj kategorie përfshihet edhe energjia e pafaturuar, e cila në vitin 2021 ishte 372 GWh.

Humbjet teknike, ndërkaq, u rritën nga 627 GWh në vitin 2016 në 780 GWh në vitin 2021.

Këto të dhëna tregojnë se, përveç nevojës për rritjen e kapaciteteve prodhuese, sfidë për sektorin mbetet edhe menaxhimi i konsumit dhe zvogëlimi i humbjeve në sistem.

Opozita kritikon menaxhimin e sektorit energjetik

Përveç sfidave të furnizimit, sektori energjetik është përballur edhe me kritika të vazhdueshme nga opozita, e cila ka vënë në pikëpyetje menaxhimin e Qeverisë dhe progresin në zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, gjatë një diskutimi në Kuvendin e Kosovës, ka kritikuar Qeverinë Kurti për menaxhimin e sektorit energjetik.

Ajo ka pretenduar se nuk ka pasur progres të mjaftueshëm në zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme dhe ka ngritur akuza për ndikime të pretenduara në sektorin e energjisë.

“Inflacioni nuk është shkaktuar nga Ngushtica e Hormuzit, por nga energjia edhe nga çmimi i energjisë, edhe nga çmimi i shërbimeve”, ka deklaruar Ymeri.

Ajo ka vazhduar me kritikat ndaj Qeverisë, duke pretenduar se sektori energjetik është karakterizuar nga një skemë e ndërtuar për t’u shërbyer interesave të caktuara.

Deputetja ka ngritur edhe pretendime lidhur me raportet e përmendura nga ajo mes zyrtarëve dhe personave të tjerë në sektorin energjetik, duke kërkuar përgjigje nga kryeministri Albin Kurti.

Në anën tjetër, debati për energjinë rikthen në vëmendje edhe premtimet e mëhershme për uljen e çmimit të energjisë dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese vendore.

Kosova kështu po hyn në një tjetër sezon dimëror me një sfidë të dyfishtë: sigurimin e energjisë së mjaftueshme për konsumatorët dhe përballimin e kostove të larta të furnizimit, në një kohë kur prodhimi vendor dhe investimet në kapacitete të reja mbeten çështje thelbësore për sigurinë energjetike të vendit. /Lajmi.net/

 

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.