Ka qenë një kohë kur Kosova U21 ishte në gjendje të befasonte edhe kombëtaret më të mëdha të Evropës.
Dardanët e rinj kishin arritur ta mposhtnin Spanjën, në një prej rezultateve më të bujshme të historisë së kësaj përfaqësueseje.
Një sukses që kishte ngritur pritshmëritë dhe kishte dëshmuar se Kosova mund të konkurronte edhe me kundërshtarë të nivelit më të lartë.
Në atë periudhë, me Adil Maliqin në krye, Kosova U21 e kishte krijuar një identitet dhe kishte arritur rezultate që mbahen mend edhe sot.
Pikërisht këtë kujtim e riktheu edhe vetë Maliqi sonte, përmes një postimi në rrjetet sociale, duke kujtuar fitoren historike ndaj Spanjës.
Ai ishte larguar nga drejtimi i përfaqësueses i zhgënjyer, ndërsa sot rezultatet po e bëjnë edhe më të dukshme kontrastin mes asaj periudhe dhe gjendjes aktuale.
Kosova U21, tashmë nën drejtimin e Hekuran Kryeziut, pësoi një tjetër zhgënjim, duke u mposhtur 0:2 nga Luksemburgu.
Një rezultat që ngre shumë pikëpyetje, sidomos kur kujtohet se kjo përfaqësuese dikur arrinte të mposhtte Spanjën, ndërsa sot nuk po arrin të përballojë me sukses kundërshtarë që në letër konsiderohen të një niveli tjetër.
Nga fitorja ndaj Spanjës te humbja nga Luksemburgu, është një kontrast që flet shumë për rënien e Kosovës U21.
Natyrisht, futbolli nuk jeton me rezultatet e së kaluarës, por ky dallim duhet të shërbejë si alarm.
Dikush duhet të japë përgjegjësi dhe të shpjegojë se ku humbi rruga e një përfaqësueseje që dikur na bënte krenarë. /Zëri

