Në kohën kur në Kosovë është miratuar Ligji për Specialen, kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ka dalë me një video lidhur me qëndrimin e këtij institucioni ndaj proceseve gjyqësore në Hagë dhe kritikave për ndikime nga jashtë.
Në këtë adresim, Trandafilova ka thënë se gjykata është përballur me dezinformata lidhur me pavarësinë dhe punën e saj, duke potencuar se Dhomat e Specializuara janë institucion i pavarur dhe se gjyqtarët e saj janë persona me integritet, të cilët vijnë nga shtetet e Bashkimit Europian dhe ato kontribuuese.
“Dhomat e Specializuara janë një institucion gjyqësor me mandat të përcaktuar përmes një shkëmbimi letrash, Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Gjykata është e përqendruar në sigurimin e procedurave penale të sigurta, të pavarura, të paanshme, të drejta dhe efikase, duke siguruar njëkohësisht mbrojtje të fuqishme për dëshmitarët dhe viktimat. Në kundërshtim me dezinformatat për gjykatën, të cilat vazhdojnë të përhapen, Dhomat e Specializuara garantojnë të drejtat për gjykim të drejtë të të akuzuarve, në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtarisht. Gjykatësit e emëruar në Dhomat e Specializuara janë nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe shtetet kontribuuese. Për t’u kualifikuar si gjykatës në Dhomat e Specializuara të Kosovës, ata duhet të jenë persona me karakter të lartë moral, paanshmëri dhe integritet, të cilët zotërojnë kualifikimet e kërkuara në shtetet e tyre për emërim në postet më të larta gjyqësore.”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se gjykatësit i ushtrojnë detyrat e tyre gjyqësore në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe të ndërgjegjshme, duke i shërbyer çështjes së drejtësisë dhe sundimit të ligjit.
“Gjykatësit zbatojnë në mënyrë të vazhdueshme konventat ndërkombëtare të përmendura në Kushtetutën e Kosovës, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikën e saj gjyqësore. Gjykatësit i zhvillojnë procedurat në një mënyrë që i mbron këto të drejta në çdo hap të procesit gjyqësor. Mbikëqyrja e vendimeve gjyqësore kryhet përmes procesit të ankesave, përfshirë panelet e Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Panelin e Gjykatës Supreme. Të pandehurit gjithashtu mund t’i drejtohen Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese nëse besojnë se të drejtat e tyre janë shkelur. Vlen të theksohet se të pandehurit i kanë shfrytëzuar këto mjete juridike dhe, në një numër aktgjykimesh, kanë pasur sukses.”, ka thënë ajo.
Ndërsa kritikat ndaj vendimeve gjyqësore, sipas saj, janë legjitime në një shoqëri demokratike dhe se siç ka thënë ajo, sundimi i ligjit kërkon që askush të mos mund t’u diktojë gjykatësve se si ta interpretojnë dhe zbatojnë atë.
“Si institucion gjyqësor i pavarur, Dhomat e Specializuara e ushtrojnë mandatin e tyre pa konsiderata, preferenca, ndikime apo ndërhyrje politike. Dhomat e Specializuara mbeten të palëkundura në përkushtimin e tyre për të respektuar standardet më të larta ndërkombëtare, ndërsa vazhdojnë punën e besuar atyre në mënyrë të pavarur nga çdo presion i jashtëm, me pritshmërinë që të gjithë aktorët e përfshirë t’i përmbushin detyrimet e tyre përkatëse për të siguruar respektimin e sundimit të ligjit.”, ka thënë ajo. /Klankosova.tv

