Situata me menaxhimin e mbeturinave raportohet se është bërë shumë e rëndë në rajonin e Prizrenit.
Gazetari korrespodent i Klan Kosova, Nuhi Salihu, në emisionin “Ora Shtatë” bëri të ditur se dhjetëra kamionë të kompanisë së pastrimit “Ekoregjioni” nuk po lejohen që t’i deponojnë mbeturinat në deponinë e Landovicës, transmeton Klankosova.tv.
“Lidhur me këtë çështje, unë dje kam kontaktuar Kryeshefin Ekzekutiv të kompanisë, Burim Shalën, i cili tha se arsyeja e moslejimit të deponimit të mbeturinave nga KMDK-ja është për shkak të mospërmbushjes së obligimeve financiare”, u shpreh Salihu.
Pos tjerash, është bërë e ditur se nga sot janë pezulluar të gjitha shërbimet e grumbullimit dhe transportimit të mbeturinave.

