KORREKT / SOT12 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Sport

Dhjetë momentet më të paharrueshme të Harry Kane me fanellën e Anglisë

Dhjetë momentet më të paharrueshme të Harry Kane me fanellën e Anglisë

Harry Kane do të bëhet futbollisti me më së shumti paraqitje në historinë e Kombëtares së Anglisë, kur të përballet me Kroacinë të enjten në Wembley.

Sulmuesi 33-vjeçar, fitues i Topit të Artë, ka realizuar 91 gola në 125 ndeshje me fanellën e Anglisë, ndërsa kundër Kroacisë do të regjistrojë paraqitjen e 126-të.

Me këtë rast, BBC ka përzgjedhur dhjetë nga momentet më të veçanta të Kane në karrierën e tij me përfaqësuesen angleze.

Debutimi me gol kundër Lituanisë

Kane e nisi karrierën me Anglinë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke shënuar gol vetëm 79 sekonda pas hyrjes në fushë, në debutimin e tij në mars të vitit 2015.

Në atë kohë, 21-vjeçari ishte duke kaluar sezonin e tij të parë si titullar i rregullt te Tottenhami. Ai u aktivizua në minutën e 70-të të ndeshjes ndaj Lituanisë, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2016, dhe vetëm pak çaste më vonë realizoi me kokë pas një asistimi të Raheem Sterlingut, duke vulosur fitoren 4-0.

Goli i parë në një turne madhor

Kane ka realizuar gjithsej 21 gola në kampionatet e mëdha me Anglinë, një rekord në historinë e përfaqësueses.

Dy golat e tij të parë në këto gara erdhën në Kupën e Botës 2018, në ndeshjen kundër Tunizisë, ku ishte edhe kapiten i ekipit.

Fillimisht, ai shënoi pas një topi të kthyer nga portieri kundërshtar, ndërsa në minutat shtesë realizoi golin e fitores 2-1 me kokë, duke i dhënë Anglisë tri pikë të rëndësishme në Volgograd të Rusisë.

Hat-tricku i parë me Anglinë

Në ndeshjen e radhës në Botërorin e vitit 2018, Kane realizoi hat-trickun e tij të parë me fanellën e Anglisë.

Sulmuesi shënoi dy herë nga pika e bardhë dhe një tjetër gol pas devijimit të goditjes së Ruben Loftus-Cheek, në fitoren bindëse 6-1 ndaj Panamasë.

Goli që i siguroi Këpucën e Artë në Botëror

Kupa e Botës 2018 ishte gjithashtu turneu ku Kane fitoi Këpucën e Artë, si golashënuesi më i mirë i garës me gjashtë realizime.

Ai u bë anglezi i dytë në histori që e fitonte këtë çmim, pas Gary Linekerit.

Goli i gjashtë erdhi në përballjen me Kolumbinë, në fazën e 1/8 së finales, kur realizoi nga penalltia për epërsinë e Anglisë. Kolumbia arriti të barazonte, por Kane shënoi edhe në serinë e penalltive, duke ndihmuar ekipin e tij të siguronte kualifikimin.

Goli në fitoren historike ndaj Gjermanisë

Një tjetër moment i rëndësishëm në karrierën e Kane ishte fitorja ndaj Gjermanisë në Euro 2020, turne që u zhvillua në vitin 2021.

Anglia e mposhti rivalin e saj të madh 2-0 në Wembley, duke siguruar për herë të parë pas 55 vjetësh një fitore ndaj Gjermanisë në një ndeshje eliminatore të një turneu madhor.

Kane shënoi golin e dytë në minutën e 86-të, pas një asistimi të Jack Grealish, duke vulosur triumfin dhe kualifikimin në çerekfinale.

E dërgon Anglinë në finalen e Euro 2020

Një nga golat më të rëndësishëm të Kane me Anglinë ishte ai kundër Danimarkës, në gjysmëfinalen e Euro 2020.

Pas 90 minutave të përfunduara me rezultat 1-1, Anglia fitoi një penallti në vazhdime. Goditjen e Kane e priti portieri Kasper Schmeichel, por sulmuesi anglez reagoi shpejt dhe e dërgoi topin në rrjetë nga topi i kthyer, për fitoren 2-1.

Ky gol e dërgoi Anglinë në finalen e parë të një kampionati madhor që nga Kupa e Botës e vitit 1966.

Bëhet golashënuesi më i mirë në historinë e Anglisë

Në mars të vitit 2023, Kane hyri në histori duke u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në Kombëtaren e Anglisë.

Ai realizoi golin e tij të 54-t në fitoren 2-1 ndaj Italisë në Napoli, duke kaluar kështu rekordin e mëparshëm të Wayne Rooneyt.

Që nga ajo ndeshje, sulmuesi e ka përmirësuar edhe më tej rekordin, duke arritur në kuotën e 91 golave.

Një tjetër gol në gjysmëfinalen e Evropianit

Kane ishte protagonist edhe në gjysmëfinalen e Euro 2024 kundër Holandës.

Pasi Anglia pësoi gol në minutat e para, sulmuesi barazoi rezultatin nga pika e bardhë në pjesën e parë.

Më pas, Ollie Watkins realizoi golin e fitores në minutat e fundit, duke i siguruar Anglisë një tjetër finale të Kampionatit Evropian.

Me këtë realizim, Kane regjistroi golin e tij të dytë në dy gjysmëfinale të Kampionateve Evropiane.

Dy gola në paraqitjen e 100-të me Anglinë

Një tjetër moment i veçantë ishte paraqitja e tij e 100-të me fanellën e Anglisë, të cilën e shënoi me dy gola.

Në një moment kur fushata e anglezëve në Kupën e Botës 2026 rrezikonte të përfundonte në mënyrë zhgënjyese, pas vështirësive në ndeshjen ndaj Republikës Demokratike të Kongos në fazën e 1/16 së finales, Kane mori përgjegjësinë.

Ai realizoi dy herë në 15 minutat e fundit të takimit, fillimisht me kokë për barazimin dhe më pas me një goditje të fuqishme pas rrotullimit, duke siguruar fitoren për Anglinë.

Në raundin pasues, ai shënoi edhe kundër Meksikës, ndërsa intervista e tij pas ndeshjes, e zhvilluar në stadiumin Azteca, u bë virale për shkak të zërit të tij të pazakontë. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.