Gryerja e dhëmbëve para vendosjes së kurorave, urave apo punimeve estetike është një nga shqetësimet më të shpeshta të pacientëve.
Por sipas Rajmonda Halilit, specialiste e protetikës stomatologjike, parimi kryesor në stomatologjinë moderne duhet të jetë ruajtja sa më e madhe e strukturës natyrale të dhëmbit.
Për këtë temë, Halili ka folur në podcastin “Shëndeti në rend të parë” i mbështetur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit Kubati, ku u diskutua për shëndetin dhe estetikën e buzëqeshjes, me fokus te urat dentare, kurorat dhe vinerët.
E pyetur se sa duhet të gërryhet dhëmbi dhe pse një stomatolog mund të largojë më shumë strukturë të dhëmbit sesa një tjetër për të njëjtën kurorë, Halili tha se kjo është një nga pikat më të ndjeshme për të si specialiste.
“Këtë pyetje që ma ke bërë, më ke prekur në pikën më të ndjeshme timen”, u shpreh ajo.
Halili theksoi se ajo njihet nga pacientët si një specialiste që synon të gërryejë sa më pak që është e mundur, duke ruajtur strukturën e dhëmbit.
“Unë njihem edhe pacientët më njohin si një specialiste e cila gërryen më së paku që është e mundur”, tha ajo.
Sipas saj, gjatë gjithë specializimit është edukuar me parimin se gryerja duhet të jetë sa më minimale dhe të bëhet vetëm kur është absolutisht e nevojshme.
“Krejt specializimin tim jemi shkolluar në atë formë që gryerja duhet të jetë sa më minimale, vetëm në rast se është patjetër e nevojshme”, tha Halili.
Sipas saj, kur një pacient ka strukturë të shëndoshë të dhëmbit, mjeku duhet të jetë shumë i kujdesshëm dhe të largojë sa më pak ind dentar.
“Tek secili njeri që e ka një strukturë të dhëmbit të shëndoshë, atëherë ne duhet të gërryejmë sa më pak”, tha ajo.
Halili sqaroi se gryerja minimale kërkon njohje të avancuar të teknikave të ngjitjes, në mënyrë që punimet protetike të kenë qëndrueshmëri të gjatë edhe pa dëmtuar shumë dhëmbin.
“Kur gërryejmë më pak, duhet të jemi të avancuar në teknikat e ngjitjes së punimeve, në mënyrë që ato të kenë jetëgjatësi të gjatë”, theksoi ajo.
Halili tha se pikërisht për këtë arsye ekzistojnë specialistët e protetikës, të cilët kanë për detyrë të kursejnë sa më shumë strukturën e dhëmbit.
“Prandaj janë specialistët e protetikës që kursejnë strukturë të dhëmbit”, tha Halili.
Tutje u shpreh se pacientët shpesh, nga mungesa e informacionit, kërkojnë vetë ura dentare edhe në raste kur dhëmbët janë prezent dhe mund të zgjidhet ndryshe problemi.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:
– YouTube www.youtube.com

