Pas raportimeve të IndeksOnline lidhur me prerjen e drunjve në Bjeshkët e Nemuna, sot ekipet e Drejtorisë, përkatësisht roja e natyrës e caktuar për atë territor, së bashku me Policinë Kufitare dhe Policinë e Stacionit në Pejë, kanë dalë në terren në Bjeshkën e Sejnovës për të verifikuar gjendjen.
Përmes një postimi nga ana e Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, thuhet se verfikimi është realizuar edhe përmes pajisjeve GPS, me ç’rast është konstatuar se prerja e drunjve dhe dëmtimi i evidentuar ndodhen në territorin e Malit të Zi, ku është bërë edhe damkimi përkatës.
“Në territorin e Republikës së Kosovës, në lokacionin e kontrolluar, nuk është evidentuar prerje e drunjve. Mbrojtja e natyrës dhe e territorit të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” mbetet përgjegjësi dhe prioritet i vazhdueshëm institucional”, thuhet në njoftim. /IndeksOnline

