Analisti politik Melazim Koci e ka cilësuar si shenjë nervoze deklaratën e kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, pas miratimit në Kuvend të Ligjit për Specialen.
Koci tha se deklarata e Trendafilovës ishte përqendruar në çështje të njohura.
“Mua m’u duk shenjë e nervozës së znj.Trendafilova, sepse fliste për gjëra që janë të njohura, por besoj që është koha të flasë për gjëra të tjera, jo ato shkollore, për të cilat ne e dimë. Pavarësia e gjyqësorit, e dimë, nuk e ka prekur askush në Kosovë pavarësinë e gjyqësorit”, deklaroi Koci.
Ai tha se nga ajo priste t’i përgjigjej presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Unë kisha pritur që ajo t’i përgjigjej znj.Von der Leyen, kur ajo gjatë qëndrimit në Prishtinë tha se kjo çështje është e Kosovës, me respektimin të pavarësisë së gjyqësorit. Por, ajo e tha këtë deklaratë dhe nuk e ka tërhequr, dhe nuk besoj se do ta tërheqë”, u shpreh ai në emisionin "Rubikon" në Klan Kosova.
Duke folur për punën e Dhomave të Specializuara, Koci ngriti shqetësimin për kohëzgjatjen e paraburgimit të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.
“Të përgjigjen, a është normale të mbahet një president gjashtë vjet në paraburgim pa aktgjykim? Në Korenë Veriore mund ta mbash e ta pushkatosh, por në demokracitë parlamentare të mbash një ish-president gjashtë vjet në paraburgim pa aktgjykim, unë nuk di të ketë ndodhur një rast i tillë në botën perëndimore”.
“Është hera e parë në historinë e demokracive parlamentare që sanksionohet një lëvizje çlirimtare. Një lëvizje çlirimtare ndëshkohet më shumë se një shtet agresor me komandë shumë të fuqishme të strukturave policore, ushtarake dhe paramilitare”, deklaroi ai./Klankosova.tv

