Pesë ditë pasi u zyrtarizua si përforcimi i madh i KB Pejës, ylli i basketbollit kosovar, Dardan Berisha, ka publikuar një video kreative dhe mjaft të veçantë në rrjetet sociale.
Videoja e realizuar me efekte moderne vizuale e shfaq Berishën të veshur me një kostum fluturimi (wingsuit) me ngjyrat verdhë e zi dhe stemën e KB Pejës, teksa fluturon mbi grykën e Rugovës dhe qytetin e Pejës, transmeton IndeksOnline.
Më pas, ai ndalet në një pikë të karburanteve “Kastrati” për t’u “mbushur me energji”, moment i shoqëruar me mbishkrimin “Made for the Unstoppable” (I krijuar për të pandalshmit) dhe hitin e njohur të Kanye West, “Power”.
Pas kësaj, Berisha fluturon me shpejtësi drejt palestrës së mbushur plot me tifozët pejanë, ku shfaqet me fanellën e tij ikonike me numrin 11 të KB Pejës dhe realizon një gjuajtje të saktë në kosh. Ky postim ka ngjallur menjëherë entuziazëm të madh te tifozët verdhezi, të cilët mezi presin ta shohin sërish liderin e tyre në parket./IndeksOnline/

