Barcelona ka marrë një lajm të keq pas humbjes 4-2 ndaj Paris Saint-Germain në Champions League, pasi Dani Olmo është lënduar dhe rrezikon të qëndrojë jashtë fushave për disa javë.
Mesfushori spanjoll u detyrua të largohej nga loja në minutën e 29-të, pasi ndjeu dhimbje në pjesën e brendshme të kofshës së majtë. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, dyshohet për një çarje të muskulit aduktor, ndërsa ekzaminimet mjekësore pritet të përcaktojnë shkallën e saktë të lëndimit, transmeton Klankosova.tv.
Nëse konfirmohet diagnoza fillestare, Olmo mund të mungojë rreth katër deri në pesë javë, duke humbur kështu edhe El Clasicon ndaj Real Madridit, që zhvillohet të dielën.
Ky është një shqetësim i madh për trajnerin Hansi Flick, i cili përballet me probleme të shumta fizike në skuadër. Barcelona shpreson që ekzaminimet të mos konfirmojnë një lëndim aq serioz, por deri atëherë rikthimi i Olmos mbetet i pasigurt.
Olmo u largua nga fusha pikërisht në ndeshjen e tij të 100-të me fanellën e Barcelonës, duke e kthyer këtë jubile në një mbrëmje zhgënjyese.

